Anëtari i ri i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi është shprehur se politika shqiptare është në një moment kritik dhe ka pranuar se PD është në vështirësi. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, ai tha se e ka pranuar detyrën e re pasi PD është shpresa e vetme e Shqipërisë.

“Është një moment kritik. Nuk do ta fsheh që PD është në vështirësi. Është një siklet dhe përgjegjësi e madhe kur hyn në një forum drejtues në partinë me të madhe të opozitës.  E pranova këtë sfidë për të treguar që nuk duhet braktisur ajo që është shpresa e vetme e Shqipërisë për të patur një politikë ndryshe. Nuk kam asnjë lloj pritshmërie, por kam besimin tek vetja ime që do t’i them gjërat sipas bindjes time”- tha ai.

Më tej Zekthi tha se PD nuk e ka mbyllur misionin dhe nuk do ta mbyllë atë pasi tregoi se mund të fitonte zgjedhjet me 25 prill. Ai tha se Basha e bëri detyrën dhe arriti të prodhojë besim se mund të fitonte zgjedhjet.

“Forcat e reja le të dalin, nuk ka asgjë të keqe. PD nuk e ka mbyllur misionin dhe nuk do ta mbyllë kurrë. Ata që thonë e ka mbyllur misionin e thonë me dashakeqësi. Deri kur doli rezultati besimi i njerëzve ishte se ajo po fitonte zgjedhjet. PD prodhoi besim se po fitonte zgjedhje. Zgjedhjet janë blerë dhe opozita ishte shumicë. Është e vërtetuar që zgjedhjet u blenë. Përderisa Basha prodhoi besim se mund të fitonte zgjedhjet, ai e ka kryer detyrën e njeriut që ka prodhuar një votë më shumë se Rama.”- tha ai.

Lidhur me kërkesën e Bashës për ndryshimin e Kushtetutës së viti 2008, ai tha se  ai bën mirë që këmbëngul tek kjo gjë pasi vendimet e asaj Kushtetute i japin shumë fuqi kryeministrit. Ai shprehu nevojën se PD duhet të jetë më pak denoncuese ndërsa tha se vendin nuk e drejton PS por një formacion me anëtarë të krimit të organizuar.

“Ky është një këndvështrim i gjerë i Bashës për politikën shqiptare. Ndryshimet në Kushtetutë në 2008 i dhanë shumë fuqi kryeministrit. Basha bën mirë që e vë theksin tek kjo gjë. Tek ne njerëzit mund të ankohen vetëm tek opozita.  Opozita shqiptare duhet të jetë më pak denoncuese. Rama nuk po përdor PS për të drejtuar vendin, por po përdor një pjesë të krimit të organizuar me të cilën blen vota. Mungon Partia Socialiste e vërtetë.PS-ja e sotme është një formacion pa ideologji dhe bën çdo gjë për pushtetin duke prodhuar një pushtet autokratik pasi pushteti kushtetues e ka lejuar”- shtoi ai.

Në fund, i pyetur nëse PD do të arrijë të fitojë zgjedhjet lokale, Zekthi tha se PD tregoi se ka shumë vota të shqiptarëve. Ai tha se me zgjedhjet e fundit në parti u treguar se PD po bën një refleksion të thellë dhe po prodhon alternativë.

“PD vërtetoi se ka shumë vota të shqiptarëve. Njerëzit jetojnë me baltë dhe nuk e pranojnë qeverinë në këtë mënyrë. Kjo do të përkthehet në vota. PD po bën një refleksion të thellë dhe zhvendosje drejt një politike për të prodhuar alternativë. Vizioni për një Shqipëri më të mirë dhe ndërtimi i një sistemi politik me pushtete të kufizuar janë vizionet e PD. Duhet ta bëjmë këtë për hir të shqiptarëve që po ikin përditë”- tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: