Sot në kongresin e UEFA-s të mbajtur në Sllovaki është miratuar buxheti i ri për kompeticionet si dhe projektet e ndryshme të futbollit që do të mbahen në Europë.

Për projektin “HatTrick IV” i cili në thelb ka nxitjen e investimeve në futbollin vendas të secilës federatë, UEFA ka miratuar një fond prej 14.1 mln eurosh për 4 vite.

Shumë miliona do t’i takojnë Federatës Shqiptare të Futbollit nëse Kombëtarja do të arrij që të kualifikohet për në “Euro 2020”. Është vendosur që në krahasim me “Euro 2016” shuma e përfituar nga ekipet të jetë më e madhe.

Për çdo ekip pjesëmarrës do të akordohen 9.5 mln euro, ndërsa fitorja në fazën e grupeve do të shpërblehet me 1.5 milionë dhe barazimi me 750 mijë euro.

Në fazën e parë me eliminim direkt ku bëjnë pjesë 16 skuadra nga 24 të kualifikuarat, ose siç quhet ndryshe faza e 1/8, fitorja do të shpërblehet me 2 milionë euro, në çerekfinale me 3.25 mln euro dhe në gjysmëfinale me 5 mln euro.

Skuadra që do të shpallet kampione e “Euro 2020” do të përfitojë 10 mln euro, ndërsa finalistja tjetër 7 mln euro. Në total skuadra kampione do të përfitojë 30.75 mln euro pa llogaritur fitoret në grup, të cilat mund t’a shtojnë shumën e përfituar me 1.5 deri në 4.5 mln euro.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb