Kombëtarja shqiptare e futbollit amator është mundur me rezultatin 2-1 nga Italia, në ndeshjen e dytë të raundit të ndërmjetëm të UEFA Regions’ Cup 2026-2027, e zhvilluar në stadiumin “Egnatia Arena”.

Kuqezinjtë, të drejtuar nga trajneri Ardian Haçi, zhvilluan një ndeshje të luftuar ndaj përfaqësueses italiane, por në fund nuk arritën të shmangnin humbjen.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Klaudio Blloshmi, Aldi Pjetri, Exhei Kola, Xhonaldo Prenga, Klajdi Shini, Marsel Koromani, Albi Alushi, Ronaldo Alillari, Albis Dajti, Romeo Pillati, Eldi Gjuzi.

Italia kaloi në avantazh në minutën e 56-të me Tommaso Redin, ndërkohë që Shqipëria reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin dy minuta më vonë me Albis Dajtin, duke rikthyer ekuilibrat në këtë përballje. Megjithatë, skuadra italiane arriti të shënonte golin e fitores në limite me Francesco Geno, duke siguruar tri pikët.

Kjo ishte ndeshja e dytë e Shqipërisë në Grupin 6 të raundit të ndërmjetëm, pas humbjes 6-1 ndaj Sllovakisë në sfidën e parë.

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e fundit të grupit më 4 nëntor, ndaj Irlandës së Veriut, në stadiumin “Egnatia Arena”, me synimin për ta mbyllur këtë fazë me një rezultat pozitiv.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb