Deputeti Ralf Gjoni, në fjalën e tij në parlament, foli edhe për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Gjoni theksoi se në këtë rast, shkon për shtat shprehja popullore “ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë”. Ai shtoi se akti është i rëndë dhe domethënës, duke thënë se duhet t’i merret pasuria çdokujt që ia ka vjedhur atë shqiptarëve.

“Një doktor me dy gishta lart na bëri të besoj në fabulën imagjinare të demokracisë. Nuk mund të heshtim për atë që ka ndodhur, që ka në fokus personazhin më të rëndësishëm në tranzicionin tonë. DASH e akuzoi për korrupsion domethënës. Sipas DASH, Berisha ka përdorur pushtetin për të pasuruar xhepin e tij dhe të aleatëve të tij politik, në kurriz të qytetarëve dhe institucioneve. Ka ndodhur që Berishës i është ndaluar hyrja në SHBA dhe familjarëve.

Është akt i rëndë dhe domethënës. SHBA e ngriti Berishën dhe i qëndroi në krah si president e kryeministër, e tashmë e ndalon të hyjë në Amerikë. Të rinjtë thonë se akti është i vonuar dhe jam dakord. Do ishte mirë që SHBA të bënte diçka në 1997. SHBA të na ishte pranë edhe më 1997, të na kishin kursyer edhe vite të tjera lëngimesh. Ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë, thotë populli. Sot, shqiptarët presin që llogaridhënia të jetë diçka që realizohet, që reforma në drejtësi të shkojë deri në fund. Ne do të merremi me ujkun që po ngordh apo çakenjtë që bëjnë kërdi, institucionet të punojnë e të hapin dosje. Çdokush që ka grabitur pasurinë e përbashkët, t’i sekuestrohet dhe t’i kthehet popullit”, deklaroi Gjoni.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb