NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Pavarësisht lehtësimit të kushteve të kredidhënies nga ana e bankave tregtare në vend, biznesi nuk ka shfaqur interes për kredi. Sipas Bankës së Shqipërisë edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, si biznesi i vogël ashtu edhe korporatat e mëdha, kanë shënuar rënie të kërkesës për kredi me 4,9%. Ekspertët e bankave shprehen pesimistë edhe për muajt në vijim. Megjithatë situata qëndron ndryshe për individët, ku kërkesa për kredi ka shënuar rritje, kryesisht për qëllime financimi të konsumit dhe blerje banesash.

Situata ekonomike në gjashtë mujorin e parë të vitit ka bërë që bizneset të jenë më pak të interesuara për të investuar. Kjo reflektohet kryesisht në rënien e kërkesës për kredi gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015. Sipas rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues për periudhën prill-qershor të BSH, bankat janë hasur në një rënie të kërkesës së bizneseve për kredi me 4.9%. Kërkesa në rënie është regjistruar si për bizneset e vogla, ashtu edhe për korporatat e mëdha. Por ajo që është më shqetësuese për bankat, lidhet me pesimizmin e tyre për kërkesën për kredi nga ana e biznesit edhe në tremujorin e tretë të vitit, në një kohë kur kushtet dhe standardet e kredidhënies janë përmirësuar.

Ndryshe nga biznesi, kërkesa e individëve për kredi ka vijuar në rritje në tremujorin e dytë të vitit nga 2,8% në janar-mars, balanca neto u rrit në 29,9% në prill-qershor. Kërkesa është vlerësuar pozitive në përmirësimin e ndjeshëm për kreditë me qëllim financimin e konsumit apo edhe kreditë për blerje banese.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë pozitive të kërkesës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 vijojnë të jenë lehtësimi i kushteve të kreditimit nga ana e bankave. Pozitivisht, por në një shkallë më të ulët, ndikuan edhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe përmirësimi i besimit konsumator.

Ndërkohë gjendja e huave me probleme vijon të jetë një faktor ndikues në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies, megjithëse, në një shkallë shumë më të ulët, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Megjithatë ekspertët bankarë presin zhvillime pozitive në kërkesën e individëve për kredi edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb