Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagon pas propozimit të deputetit socialist, Ilir Beqaj, për uljen e pagave në sektorin publik dhe privat, duke e cilësuar këtë një eksperiment shumë të rrezikshëm për shqiptarët.

Sipas Bardhit, ky është një propozim kriminal dhe i papranueshëm për çdo qeveri, që vendos të parin interesin e qytetarit, ndërsa shton që ky eksperimentim po bëhet nga Rama përmes deputetit Beqaj.

Mesazhi i Gazment Bardhit:

Edi Rama ka nisur një eksperiment të ri dhe shumë të rrezikshëm me shqiptarët. Përmes Ilir Beqajt, një nga ministrat e tij më të diskretituar si të korruptuar, Edi Rama propozon uljen e pagave në sektorin publik e privat, si mënyrë për të furnizuar qeverinë me parà. Një propozim kriminal dhe i papranueshëm për çdo qeveri, që vendos të parin interesin e qytetarit.

Ditën kur propozon uljen e pagave të qindra mijëra njerëzve, Edi Rama ka paguar për PPP mafioze të inceneratorit të Tiranës 650 mijë euro. Po të mos kishte hallin e biznesit të vet me mafian e plehrave, me kaq parà, Edi Rama mund të kishte siguruar pagën e 3125 njerëzve të mbetur pa punë.

Qeveria ka akoma të paktën 220 milionë euro të paprekura nga koncesionet korruptivë dhe shpenzimet e luksit që ka planifikuar për këtë vit.

Qeveria ka parà, por Edi Rama nuk heq dorë nga pagesat për aferat e pista, duke paguar klientët e tij me paratë e shqiptarëve. Vetëm për kompanitë e Ministrit më të keq të Shëndetësisë në të gjitha kohërat, Edi Rama ka paguar 40 milionë euro në 6 vjet. Prandaj, e përdor tani Ilir Beqajn për të testuar qytetarët deri ku mbajnë.

Ky është një nga qëllimet pse ai zgjati pa asnjë kuptim gjendjes e fatkeqesisë natyrore. Kërkon të mbajë me në këmbë qeverinë e tij të falimentuar duke vjedhur edhe djersën e ndershme të shqiptarëve. Ky është një tjetër projekt për të vazhdura grabitjen në kohë pandemie dhe për të fshehur dështimin e tij!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb