Ministrja e Shëndetësisë ka parë nga afër procesin e vaksinimit të studentëve në Fakultetin Ekonomik të Tiranës. Gjatë bisedës me përfaqësues të këtij fakulteti, Manastirliu bëri me dije se 66% e pedagogëve, mësuesve dhe edukatorëve janë vaksinuar me dy doza duke theksuar domosdoshmërinë e shtrirjes së procesit të vaksinimit për mësues, pedagogë e studentë, në mënyrë që mësimi të nisë fizikisht në auditore dhe për një mbarëvajtje sa më të mirë të vitit të ri akademik.

“Kemi deri më sot më shumë se 66% të pedagogëve, mësuesve dhe edukatorëve të vaksinuar me dy doza. Pra jemi në një përqindje relativisht të mirë të mbulesës vaksinale për kategorinë e arsimtarëve. Por fokusi është që të rrisim mbulesën vaksinale sepse vaksinat shpëtojnë jetën. Reduktojnë dhe ulin fatalitetet deri në 100%, ulin rastet e hospitalizimeve, pasi shmangin rastet e rënda apo format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu edhe krijojnë uljen e transmetueshmërisë”, tha Manastirliu.

Teksa u shpreh se ditën e sotme vijnë 30 mijë doza nga Pfizer, Manastirliu tha se qeveria do të sigurojë vazhdimësinë e furnizimit me vaksina.
“Sot mbërrijnë më shumë se 30 mijë vaksina të Pfizer në Shqipëri. Qeveria është duke punuar për të rritur mbulesën vaksinale, por për të rritur edhe disponibilitetin në vaksina. Ndaj jemi duke punuar për të përfunduar dhe për lidhjen e kontratës së re me kompaninë Pfizer për mbi 500 mijë doza vaksine, të cilat dhe këto pritet të vijnë në këtë tremujor të fundit të këtij viti. Pra deri në dhjetor do të kemi edhe 500 mijë vaksina të tjera të kompanisë Pfizer që do të vijnë”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për njohjen e pasaportës së vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Pasaporta e vaksinimit apo “green pass” është një pasaportë e cila është e vlefshme edhe për në vendet europiane. Pra mjafton që nëpërmjet e-Albania të kesh dhe të marrësh atë “green pass” dhe te aksesosh edhe në vende të tjera. Sepse është vënë tashmë kufizim, por fatmirësisht ne e kemi të njohur në sistemet tona elektronike bashkë me ato sisteme të Bashkimit Europian. Jemi duke punuar gjithashtu edhe përsa i përket çertifikatës së shërimit dhe çertifikatës së testit, që dhe këto janë paralel dhe jemi duke punuar për t’i realizuar edhe këto njohje nëpërmjet sistemeve të përbashkëta që BE edhe me sistemin tonë të e-Albania janë duke u integruar” deklaroi Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb