Alexander Zverev vazhdon rrugëtimin në “US Open”, por për të dytën ndeshje radhazi iu deshën pesë sete për të siguruar kualifikimin.

Tenisti gjerman, numri 2 në botë dhe i pari në listën e favoritëve në Nju Jork, mposhti francezin Quentin Halys, numri 52 në renditjen botërore, me rezultatin 6-4, 4-6, 7-6(3), 6(3)-7 dhe 6-3. Ndeshja zgjati plot 4 orë e 33 minuta dhe përfundoi në orën 02:15 të mëngjesit të së premtes, sipas orës lokale të Nju Jorkut. Zverev ka kaluar tashmë 9 orë e 26 minuta në fushë vetëm në dy raundet e para të turneut.

Kjo është hera e parë që një tenist i renditur si numri 1 në një Grand Slam zhvillon dy ndeshje me nga pesë sete në dy raundet e para. “Kam fituar dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Për këtë punoj çdo ditë, të jem i përgatitur dhe të mund t’ia dal në momente të vështira”, deklaroi Zverev pas ndeshjes. Në raundin e tretë, gjermani do të përballet me kilianin Alejandro Tabilo, numri 28 në botë.

Në “US Open” u shënuan edhe disa eliminime të bujshme në turneun e meshkujve. Kanadezi Félix Auger-Aliassime, numri 4 në botë, u eliminua nga rusi Karen Khachanov, ndërsa australiani Alex de Miñaur, numri 7, humbi ndaj holandezit Botic van de Zandschulp. Këtyre eliminimeve u shtohet edhe ajo e Novak Djokovic në një nisje të vështirë të turneut për disa prej tenistëve Top 10. Ndërkohë, Flavio Cobolli dhe Taylor Fritz siguruan kalimin në raundin e tretë. Një tjetër moment i veçantë ishte lamtumira e Gael Monfils. Francezi 40-vjeçar u eliminua nga amerikani Learner Tien, në atë që ishte paraqitja e tij e 18-të në “US Open”.

Monfils, i cili pritet ta mbyllë karrierën pas disa javësh në “Masters 1000” të Parisit, falënderoi publikun e Nju Jorkut për mbështetjen gjatë gjithë viteve. Në turneun e femrave, favoritët vijojnë të jenë në garë. Elena Rybakina dhe Coco Gauff kaluan në raundin e tretë, pasi mposhtën respektivisht Paula Badosan dhe Jessica Bouzas. Në raundin tjetër u kualifikuan gjithashtu Mirra Andreeva, Iga Sëiatek, Amanda Anisimova, Naomi Osaka dhe Alexandra Eala. Gauff do të përballet të shtunën me Cristina Bucsa, e cila mbetet e vetmja teniste spanjolle ende në garë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb