Brandon Holifield, ushtarak i trupave Komando Amerikane që ka qenë bashkë me Ibrahim Bashën në Afganistan ka publikuar në faqen e tij në Facebook tre foto nga koha kur ata ishin bashkë, duke e shoqëruar me një koment ku shpreh dhimbjen për humbjen e mikut të tij. Ai shkruan se Ibrahimi u vra jo duke luftuar në Afganistan por në shtëpi mes njerëzve të tij.

“Më ka kapur një trishtim i thellë, kur kam mësuar se shoku im, vëllai im, Ibrahim Basha, nuk është më me ne. Menjëherë kur u takuam, ai më mikpriti në familjen shqiptare me krahë të hapur e me zemër të dashur. Zemra ime është coptuar kur kam mësuar se pas largimit nga komuniteti i forcave speciale të ushtrisë, ai iu bashkua forcave speciale të policisë, dhe u vra jo duke luftuar në Afganistan në luftë fronti, por kur u kthye në shtëpi midis njerëzve të tij. Ibrahim fluturo lart vëlla! Ashtu sikur bënim shaka dikur. “Do të shihemi në Valhalla shoku im”- e mbyll komentin Brandon.

Sipas mitologjisë skandinave, Valhalla në botën e përtejme është një nga pallatet e të vdekurve,  që bien në luftë dhe beteja si luftëtarë heronj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: