Ndërtesa të dëmtuara nga sulmet raketore ruse në Selidove, në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, më 15 nëntor 2023. Dy njerëz janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve raketore ruse gjatë natës në dy rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Harkiv, thanë të martën zyrtarët ukrainas. Cak i sulmeve ishin një spital në qytetin Selidove dhe një minierë thëngjilli, shkroi në Telegram ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

“Dy ndërtesa të spitalit u dëmtuan, gjashtë civilë u plagosën. Mund të ketë viktima nën rrënoja, operacionet e kërkimit po vazhdojnë”, theksoi ai. Një punëtor në minierën e thëngjillit u vra gjatë sulmit, tregoi ai. “Katër ndërtesa, 19 automjete dhe një linjë e rrymës u dëmtuan. Tridhjetë e nëntë minatorë ngecën nën tokë. Të gjithë minatorët janë nxjerrë në sipërfaqe tani”, tha ministri ukrainas.

Një person tjetër u vra si pasojë e granatimeve ruse në Harkiv, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synehubov. Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, e ka kapur shumicën e territorit të Donjeckut dhe ka thënë se synimi i saj është ta kapë tërë këtë rajon.

Forcat ruse i vazhduan sulmet në Ukrainë derisa Kievin e vizitoi të hënën sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin. Austin e bëri këtë vizitë të paparalajmëruar si shenjë mbështetje për Ukrainën, pasi janë rritur shqetësimet se aleatët perëndimorë të Kievit, posaçërisht SHBA-ja – e cila është përkrahësja e tij më e madhe ushtarake dhe financiare – janë “lodhur nga lufta”.

“Jam këtu sot për ta dhënë një mesazh të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë, tani dhe në të ardhmen”, tha Austin. Kjo ishte vizita e dytë e Austinit në Ukrainë, i cili udhëtoi me tren drejt Kievit nga Polonia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: