TIRANË- Është promovuar dje në COD, libri in memoriam “Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria”, botuar nga “Fjala Publishing”. 16 miq të tij shqiptarë e gjermanë kanë shkruar artikuj studimorë kushtuar Klosit. Në promovim, veç tingujve të pianos nga Merita Rexha Tërshana dhe interpretimit të mexosopranos Vikena Kamenica, i pranishëm ishte Oliver Jens Schmit, i cili ka realizuar librin.

Ai foli për njohjen e tij me Ardian Klosin dhe vlerësimin për të, një material i botuar në “GSH” ditë më parë. Ndërkaq, e pranishme në këtë takim ishte familja e Klosit, motrat dhe bashkëshortja Jutta Benzenberg. E bija, Katarina foli për fëmijërinë ku ka kujtimet me Klosin, për atë çka ka marrë prej tij, dhe tha se katër vite më parë, veçse 16 vjeçe, nuk mundi ta njihte sa duhet.

“Unë falënderoj nënën time, gruan më të fortë që njoh. Kur ajo më pyeti nëse mund të mbaja një fjalim në këtë takim, i thashë ‘po’. Ende sot presioni dhe censura e shtypin njeriun. Kam qenë e vogël dhe s’e kam njohur sa duhet babain tim, por po e njoh përmes librave e përkthimeve, ku kthehem sa herë më merr malli për të”, – tha e bija.

Arlinda Dudaj foli për miqësinë me të ndërsa një stendë e vogël ekspozonte disa prej punëve të Klosit në vitet 1980. Më pas, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vlerësoi Klosin, si intelektual dhe si mik. Më pas, Ema Andrea recitoi disa radhë nga vepra “Me syrin e një klouni”, përkthyer nga ai.
Në fjalën e tij, në ceremoninë e promovimit të librit për Ardian Klosin, ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, njëherësh mik i ngushtë i publicistit dhe përkthyesit.
Duke sqaruar arsyen pse përkthente Klosi, Rama e cilësoi atë, një mendje të mprehtë që flirtonte me të vdekurit.
“Arsyeja pse përkthente ishte nevoja për higjienë. Nëse nuk do kishte atë trazim të madh që i vinte së brendshmi por që agravohej nga injoranca dhe pisllëku, nuk do kishte përkthyer. Për shkak të nevojës për të bashkëjetuar, pra përkthimi ishte mundësi për të bashkëjetuar në një shoqëri me të tjerë që i zgjidhte vetë, komunikonte me ta, ishte një lloj rruge në arrati, ashtu sikurse ishte një lloj flirti me të vdekurit. Vdekja ishte një fuqi që tek Ardiani vepronte në mënyrë të pavetëdijshme, e kishte me vete, nuk e shmangte atë. Në flirt me të vdekurit që i zgjidhte vetë trazimi i tij rritej, mendja e mprehtë që kishte ia rëndonte trazimin”.

Rama e vlerësoi Klosin edhe si një aktivist të flaktë të shoqërisë civile, ndër të parët, siç tha ai, që nisi të mbledhë firmat për të mos lejuar prishjen e Piramidës.
“I përkiste një lloj shkolle që nuk e pranonte intelektualin si koncept jashtë angazhimit. Për Ardianin intelektuali ishte ai që rron me të vërtetën”.

Ai u shpreh se kishte folur shpesh për vdekjen me Klosin. “Unë e ai kishim një marrëveshje: kur njëri të ikte i pari, ai që mbetej nuk duhej të bëhej qesharak duke folur për tjetrin me seriozitet. I kisha thënë shpesh se unë mendoja që do vriste veten. Nuk e kisha seriozisht. Kur po ndërtonte shtëpinë te liqeni, unë shkoja shpesh në muzg. I thosha: të parafytyroj. Një ditë, dy krisma të thata, lart në papafingo, dy rosa fluturojnë, dhe më pas ai nuk na tha lamtumirë, por ‘ik pirdhuni'”, – u shpreh Rama, i cili më herët tha se Klosi flirtonte shpesh me të vdekurit, përmes librave që përkthente.

ÇMIMET
Ndërkaq, çmimi “Ardian Klosi” për publicistikën iu dha Veton Surroit, për librin “Ambasadori i Melkizedekut”. Juria e çmimit përbëhej nga: Pirro Misha kryetar dhe Ardian Vehbiu, Besnik Mustafaj, Alda Bardhyli e Beti Njuma anëtarë.

Ledi Shamku, “Klosit”: Akademia e Shkencave nuk pranon të reformojë veten
Hej ç’na e le Prillin me shenjë o Dan! Po t’lexoja prapë dje në darkë. Për qejfin po edhe për hallin tim po të lexoja. Po ta shkëpus një pjesë nga shkrimi yt që ishte halli yt e imi, e tash mbeti vetëm halli im! “Çfarë do të kish thënë Çabej sot, të jetë apo të mos jetë Akademia?

Për vete e kam të qartë se çfarë do të thoshte, një njeri që e kreu veprën e vet të madhe jashtë çdo akademie; e kam të qartë se ç’do të thoshte ai njeri punëtor kur të shihte një gërxho-institucion që ecën me inercinë e së shkuarës, që bluan fonde publike dhe nuk nxjerr asnjë dorë miell për urinë e madhe që kanë për dije shqiptarët, që bluan dhe shkatërron pasuritë e trashëguara (pyetini çka ndodhur me fondin e Xhuvanit dhe një numri të tjerëve, mësoni si po kalbet në mënyrë të pakthyeshme thesari i Incizimeve që disponon(te) Instituti i Kulturës, pyetini a ka anëtarë të rinj kjo Akademi, pyetini nëse po i thithin gjithë ata djem e vajza që diplomohen e doktorohen në Perëndim, pyetini se sa harxhojnë me konferencat e tyre “ndërkombëtare” dhe nëse është në këto konferenca mosha mesatare nën 70 vjeç; pyetini, pyetini). Ai institucion, d.m.th Akademia, së paku për pjesën e dijeve humano-shoqërore NUK PRANON TË REFORMOJË VETVETEN”.

Dan, Akademia ishte halli i të dyve ne, edhe i disave si ne; sot ka mbetur veç halli im me ç’po shoh! Isha në Kosovë, Dan! Një mrekulli Akademia e Shkencave të Kosovës, plot me mendje të reja e të shkolluara mirë e lirisht! Dhe më kallxuan si po ua plaste shpirtin kjo Akademia jonë! Edhe Çabejt ia plasi shpirtin njëlloj, edhe ty, e ndoshta edhe mua, që ndërsa po të shkruaj, më duket vetja si një ushtar jashtë kohës, i ndryrë në idealin e vet, që s’do ose s’di të kuptojë se i ka përpjekjet pa pikëpjekje. E kujt i duhen idetë e idealet sot xhanëm? Uhh, sa fjalë t’vjetrume!
Hej ç’na e le Prillin me shenjë, o Dan!

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: