Ajo ka qenë një skulpturë e përmasave modeste, e vendosur diku në fshatin Bestrovë, rreth 7 km në veri të Vlorës, shumë pranë rrugës së vjetër kombëtare në drejtim të Fierit. Pavarësisht vlerave modeste artistike, kjo skulpturë ka një histori. Atë e nxjerr nga kujtesa studiuesi vlonjat Fahri Shaska, i cili ka arritur ta gjejë foton e saj në një enciklopedi të vjetër.

“Vajza e Bestrovës” emërtohet statuja prej materiali të ngurtë që u realizua nga një ushtar italian në vitin 1920, gjatë kohës që trupat ushtarake italiane ndodheshin në Vlorë, pas Luftës së Parë Botërore.
Ushtari me emrin Rumpero, i pasionuar pas artit të skulpturës, ndoshta nga jugu i vendit fqinj, vendos të përjetësojë hijeshinë e vajzave të fshatit ku ishte dislokuar njësia e tij.

– Fshati Bestrovë, është një nga zonat, që njihen si vende të dislokimit të trupave ushtarake italiane, që vazhduan të qëndronin në Vlorë pas Luftës Pare Botërore.

I ngacmuar ndoshta nga bukuria e vajzave të këtij fshati, Rumpero vendosë ta gdhendë atë në art.
“Nuk dihet nëse Rumpero i referohet ndonjë personazhi konkret, apo bën një përgjithësim të vashave të këtij fshati”,- thotë Shaska për “Shekulli”, teksa i referohet kësaj skulpture, fotoja e të cilës shoqëron shkrimin.
Në fakt, në mënyrën e realizimit, pavarësisht se skulptura paraqitet e dëmtuar në këtë foto, ajo reflekton hijeshinë fizike të një vajze anonime, që ndoshta ekziston vetëm në fantazinë e ushtarit italian, një skulptor i rekrutuar në radhët e ushtrisë.

Në vetminë e tij, aty në një nga repartet e ushtrisë së përtejdetit, Rumpero ka patur mjaft kohë të realizojë punimin e tij, një imazh i atyre vajzave të atij fshati, që ai i shihte me kërshëri por që nuk guxonte t’u afrohej.

– Në këtë raport mes mundësisë artistike dhe pamundësisë reale, Rumpero ka zgjedhur të parën.
Ndoshta edhe si një imazh i vajzave të vendit të tij, që ishin larg prej zonës ku ai gjendej dhe ku e kishte degdisur lufta. Për autorin e kësaj vepre modeste për vlerat artistike, por jo për periudhën që evokon, skulptura nuk ka qenë thjesht për të kaluar kohën.
Në të ka kapërcime të elementëve autoktonë, aq sa duket sikur autori përmes “Vajzës së Bestrovës”, vështron diku në perspektivë. Vështrimi i tij nuk është thjesht material, por shfaqet përmes një fantazie që kapërcen kufijtë realë dhe e çon atë larg.

Rumpero punon e punon, duke vlerësuar gjithçka me kujdes. Me mendje ai ka dalë nga konteksti i kohës. Ka hequr uniformën e ushtarit dhe me fantazinë dhe dëshirën e një njeriu të thjeshtë, ka vendosur të ndërtojë diçka që të qëndrojë tej realitetit të padëshiruar edhe për atë vetë. Për atë, nuk ka rëndësi koha, se atë e ka me bollëk.
– E rëndësishme është që të dalë diçka e bukur, që të plotësojë fantazinë e tij dhe të kënaqë të tjerët, ndoshta edhe shokët e vet të armëve që e ndjekin me mjaft kërshëri atë, teksa lartëson këtë vajzë të panjohur.
Por edhe për ata banorë të fshatit pranë. Sepse vepra do të mbetet këtu, bashkë me ta.

Do të jetë pjesë e të përditshmes së tyre, ashtu sikundër edhe mbeti për dekada me radhë. Pavarësisht motiveve që i shtyjnë në rrethana të caktuara historike të veshin rrobën e ushtarit që vjen, apo atij që largohet, popujt mbeten miqësore në marrëdhënien që krijojnë. Në këtë këndvështrim, pavarësisht kohës kur u realizua, ndoshta “Vajza e Bestrovës” është një simbol miqësie, vlerësimi e respekti, realizuar nga një ushtar i thjeshtë që ka ardhur këtu kundër vullnetit të tij. Përkundër, ndoshta një lloj pendese për praninë në këtë vend, Rumpero zgjedh të skalisë një simbol. Dhe elementi më domethënës është ai i një vajze pa emër, që reflekton bukurinë fizike, por edhe atë shpirtërore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Detajet:
Me vështrimin nga deti, kjo skulpturë ka folur me praninë e saj, me qëndrimin e saj dhe me njërën dorë të ngritur lart, duke treguar një kohë të largët që, nuk dihet se kur do të vijë. Tek kjo skulpturë, ka edhe elementë të tjerë artistikë. Një çezëm apo burim, që pasqyron traditën e vajzave të fshatit për të mbushur ujë dhe, pak më tej, më në sfond, një element tjetër që të kujton shqiponjën dykrenore. Kështu, “Vajza e Bestrovës”, flet dhe flet për të ardhur deri në ditët tona, jo me praninë e saj reale, por me foton që botohet sot, si një imazh kuptimplotë i miqësisë mes popujve.
Shekulli, 10 janar 2016

Paskal Kacani: Te dhena biografike te autorit italian qe realizoi vepren skulpturore ne Bestroven e Poshtme te Vlores: Autori i kësaj statuje është skulptori italian Ruperto Banterle(1889-1968) ka lindur në Verona dhe ka qënë student i mjeshtrit Scanzi të Akademisë së Arteve të Bukura të Gjenovës. Pas diplomimit shkoi në Paris për të studiuar skulptorët e mëdhenj:
Auguste Rodin,
Emile- Antoine Burdelle,
Georges Minne,
Constantin Meunier,
Aristide Maillol
Medardo Rosso.

Në vitin 1914 ka marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore si ushtar në Vlorë, Shqipëri.
Në këtë kohë ka realizuar këtë vepër(Vajza e Bestrovës) në beton-arme në të cilin duket qartë stili i veçantë i tij i ngjashëm me veprat që ka realizuar në Verona, kryesisht në Varrezat Monumentale të Veronës.
Një vepër tjetër madhore e realizuar nga ky skulptor, e quajtur poetikisht “Anelito Fuggente”(Frymëzim i Arratisur) nga miku i tij Lionello, përfaqëson një vajzë të mbajtur prapa nga “Jeta”, nën maskën e një nudo mashkulli të fuqishëm dhe të stilit Mikelanxhelo dhe frymëzoi kalkografinë e famshme Luigi Sabadini i cili në 1914 u përhap në të gjithë botën në mijëra kopje, kartolina që riprodhonte fytyrën e vajzës.
Pas Luftës së Parë Botërore, në të cilën kishte marrë pjesë si luftëtar në Shqipëri, skulptorit iu ngarkuan memorialet e luftës në disa bashki të provincës së Veronës:
Isola Rizza,
Erbezzo,
Terrazzo,
Castagnaro

Nga vitet 1920 deri në 1940 shënuan një aktivitet intensiv si në statujat varrore ashtu edhe në krijimet civile e fetare. Në vitin 1937 ai mori pjesë në ekspozitën koloniale në Paris, ku “bazorelievet e tij të fuqishëm ranë në sy dhe u vlerësuan shumë”. (nga eulogjia e Lionello Fiumit në Arenë, 31 korrik 1968).

Midis viteve 1933-1934 ai krijoi aparatin skulpturor për Casa del Mutilato, i vendosur pranë sheshit qendror të Veronës(Piazza Bra). Në vitin 1934 Bashkia e Veronës i ka propozuar dekorimin e Urës Garibaldi në të cilën janë vendosur disa statuja si ajo:
për udhëheqësin,
për nënën
për bujqësinë,
te gjitha të punuara në gur.

Pas Luftës së Dytë Botërore(ku u thirr edhe për disa kohë) u zhvendos përsëri në Milano, ku vazhdoi aktivitetin e tij, duke punuar njëkohësisht në Verona:
për portrete,
varreza
vepra të shenjta.
Në vitin 1955 ai krijoi statujën e Simon Bolivarit për fabrikën e çelikut Orinoco në Venezuelë. Në një nga qëndrimet e tij të shpeshta në shtëpinë e Gombionit në Verona, ai vdiq nga një atak në zemër më 20 korrik 1968.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb