Vala e të nxehtit që ka përfshirë ditët e fundit Evropën Perëndimore pritet të godasë edhe Ballkanin duke nisur nga dita e shtunë, me temperatura që në disa vende do të arrijnë deri në 39 gradë Celsius.

Sipas shërbimit MeteoAlarm, i gjithë bregdeti kroat i Adriatikut ndodhet tashmë në alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut që ato paraqesin për shëndetin e qytetarëve.

Shërbimet kombëtare meteorologjike parashikojnë se nga dita e diel temperaturat do të ngjiten deri në 39°C në pjesë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit do të zgjasë të paktën deri të hënën.

Në Beograd, temperaturat pritet të arrijnë 36°C të shtunën, 38°C të dielën dhe 39°C të hënën e të martën, duke rrezikuar të thyejnë rekordin historik të muajit qershor prej 38.7°C, të regjistruar në vitin 2021.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb