NGA ENIDA HIMAJ*

Emri i tij është shumë i lakuar në qarqet politike, por jo vetëm. Prej 20 vitesh deputet, ish-ministër i Shëndetësisë, një politikan mjaft popullor. Flasim për Vangjel Tavon si dhe rreth profilit dhe qasjes së tij për politikën dhe zhvillimet aktuale në vend. Për herë të parë, deputeti i LSI-së tregon në intervistën dhënë për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare” pse ndërroi bluzën e mjekut me kostumin e deputetit, si e përjeton ai misionin e deputetit të qarkut të Gjirokastrës, duke i quajtur miq të gjithë qytetarët e këtij vendi. Një vlerësim ka edhe për politikanët shqiptarë, duke i parë në sfidat më të rëndësishme të aktualitetit. Nuk mund t’i fshehë emocionet për ardhjen në jetë të vogëlushes së tij, Anastasia, që është një tjetër bekim për familjen Tavo. Duke mos lënë pas as detaje nga jeta e tij familjare, na rrëfen se është munduar të jetë strikt me fëmijët, por gjithnjë duke i parë si shokët më të mirë…

Nga mjekësia te politika; çfarë ju shtyu drejt kësaj rruge?
Në lidhje me pyetjen tuaj më lejoni t’ju them që ky ndryshim në karrierën time ka ndodhur mbi njëzet vite më parë. Që nga viti 1996 kam pasur privilegjin të jem deputet i Kuvendit të Shqipërisë duke përfaqësuar qarkun e Gjirokastrës. Ky kalim, nga mjek obstetër-gjinekolog në politikan, erdhi shumë natyrshëm. Dëshira për t’u shërbyer njerëzve dhe komunitetit bënë që t’u shërbej banorëve të qarkut Gjirokastër në sferën politike. Shfrytëzoj këtë rast për t’i falënderuar, pasi për një kohë kaq të gjatë më kanë dhënë mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke vendosur besimin e tyre te mua në çdo legjislaturë. Ky besim ka qenë dhe vazhdon të jetë një privilegj i jashtëzakonshëm, përgjegjësi dhe shtysë për t’u shërbyer qytetarëve sa më mirë dhe duke qenë një zë në Kuvend për zgjidhjen e problematikave dhe nevojave që ka komuniteti i qarkut të Gjirokastrës.

Sa e gjen terrenin e tij një mjek në politikë?
Si mjekësia, ashtu edhe politika, kanë në themel mirëqenien e individit. Pavarësisht se e para synon një gjendje të mirë fizike ndërsa politika është më sociale dhe komunitare, të dyja janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Një shëndetësi e mirë kërkon politika të shëndosha dhe një politikë e mirë kërkon një popull të shëndetshëm. Por, mbi të gjitha, në karrierën time, ato janë lidhur më së miri nga dëshira për t’i shërbyer komunitetit, duke dhënë më të mirën time në këtë mision, që në fakt nuk duhet ta ketë vetëm çdo politikan apo mjek, por çdo qytetar i këtij vendi. Gjithashtu, unë jam pjesë e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ndaj aty më është dhënë mundësia të jap kontributin tim për një shëndetësi më të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

A ndiheni sikur e keni “braktisur” mjekësinë për hir të politikës?
Unë nuk e praktikoj më profesionin tim, por mjekësinë nuk e kam braktisur, pasi ajo është sektori më jetik për qytetarët dhe si e tillë unë kam përgjegjësinë të jap kontributin tim për politika shëndetësore më të mira dhe efikase, për kushte dhe shërbime shëndetësore sa më adekuate për shqiptarët, për mbrojtjen e figurës së mjekut, për të cilët shfrytëzoj këtë rast të përmend që janë heronjtë e heshtur të këtij vendi, dhe meritojnë respektin maksimal të shoqërisë dhe politikës!

Nëse ju pyesim sot, Vangjel Tavo është politikan apo mjek?
Vangjel Tavo së pari është një njeri që u shërben me zemër dhe me mendje komunitetit dhe qytetarit. U kam shërbyer me profesionalizëm si mjek, u kam shërbyer me pasion mbi njëzet vite si politikan, gjithashtu si ministër i Shëndetësisë, dhe do vazhdoj me të njëjtin përkushtim edhe në të ardhmen.

Ka pasur raste kur jeni zhgënjyer nga rruga që keni zgjedhur dhe keni menduar të hiqni dorë?
Fatkeqësisht, pas rënies së komunizmit, vendi ynë ka kaluar një tranzicion të gjatë dhe me shumë ngjarje të rënda për një popull. Sigurisht që këto momente kanë qenë të vështira si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për vetë politikën. I gjithë vendi ka përjetuar shumë sfida, sikurse edhe qeveritë dhe politikanët kanë pasur pjesën e tyre të barrës dhe kanë bërë përpjekjet e tyre për kapërcimin e situatave të vështira ku po kalonte vendi. Dy dekadat e fundit kanë pasur sfida të vazhdueshme, por për mua ato kanë qenë shtysë për të punuar më shumë dhe për të kontribuar maksimalisht për një politikë më të qëndrueshme dhe një vend më të zhvilluar dhe evropian.

Të jesh politikan apo deputet i Kuvendit të Shqipërisë është një privilegj, ndaj unë nuk e kam harruar kurrë misionin tim, i cili është t’u shërbej qytetarit dhe komunitetit me të gjitha aftësitë dhe energjitë e mia. Çdo politikan duhet ta konsiderojë veten të privilegjuar që historia e ka lejuar të jetë pjesë e këtij misioni. Sepse, a mund të ketë diçka tjetër më fisnike sesa t’u shërbesh qytetarit dhe vendit tënd?

Si e shihni ju sot politikën shqiptare?
Politika shqiptare është maturuar në mënyrë paralele me zhvillimin e vendit. Sa më shumë jemi afruar për nga familja evropiane, aq edhe më evropiane është bërë edhe politika, por edhe mentaliteti i brezave. Vitet nëntëdhjetë ishin vite të vështira dhe mungesa e një precedenti të mirëfilltë demokratik bëri që politika të kalonte në shumë peripeci dhe eksperimente derisa ajo të gjente vetveten dhe të ecte në rrugën normale të qeverisjes, parlamentarizmit dhe opozitës.

Mendoj që, nga ajo kohë e deri më tani, vendi ka bërë hapa përpara drejt integrimit dhe vetë politika është në rrjedhën e saj normale. A ka nevojë për përmirësim? Sigurisht! Politika nuk është statike, ajo është në dinamikë të vazhdueshme dhe përballet me sfida të paparishikuara jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende apo kontinente të tjera. Mendoj që sekreti i një politike shembullore është vetë qytetari. Qytetari është pika fokale drejt të cilit duhet të drejtohen të gjitha forcat politike. Nëse të gjitha partitë i afrohen qytetarit, atëherë ato do afrohen edhe me njëra-tjetrën. Dhe nëse ato kanë si mision t’i shërbejnë qytetarit, duke u afruar rreth tij, ato bëhen edhe më bashkëpunuese, dhe kjo gjë do i shërbente më së miri vendit.

Keni bërë miq ndër gjithë këto vite që jeni pjesë e politikës shqiptare, miq edhe nga partitë “kundërshtare”?
Do doja shumë që përgjigjen e kësaj pyetjeje ta jepte një qytetar i thjeshtë nga qarku i Gjirokastrës, sepse komuniteti të cilit unë i shërbej e di fare mirë që miqtë e mi të parë janë vetë ata. Unë besoj në vlerat njerëzore dhe te mirësia e njerëzve. Gjithashtu besoj që politika është vetëm një konflikt idesh dhe jo individësh. Nëse lexoni tekstet e studimeve politike, do kuptoni që në vendin tonë fjala “politikë” është tjetërsuar nga kuptimi i saj i vërtetë. S

hpeshherë e konsiderojmë si krizë kur ajo është zgjidhje, e konsiderojmë si interes kur ajo është shërbesë, e njollosim si korruptive kur ajo është një mision, e shohim si armiqësore kur ajo është bashkëpunim. Për këtë arsye unë nuk e ndaj politikën në mike apo armike, por punoj për të bërë dallimin midis asaj që është e drejtë dhe asaj që është e gabuar, midis asaj që ndërton dhe asaj që shkatërron, midis integrimit dhe provincializmit.

Sipas jush, cili është politikani më i suksesshëm në Shqipëri; po më i dobëti?
Më i suksesshmi, pa asnjë dyshim them: Ilir Meta. Ja arsyet. Më lejoni të ‘zhvishem’ pak nga këndvështrimi i një deputeti të LSI-së dhe t’ju jap disa argumente analitike se përse mendoj që Ilir Meta është politikani më i suksesshëm në Shqipëri. Së pari, z. Meta në të gjithë karrierën e tij politike ka një trend rritjeje dhe maturimi në të gjitha nismat apo përgjegjësitë e tij politike. Zakonisht ndodh që politikanët arrijnë një pikë të caktuar në karrierën e tyre dhe qëndrojnë në status quo, ndërsa me rastin e z. Meta është parë një progres i vazhdueshëm në nismat dhe orientimet politike. E njëjta maturi shihet paralelisht edhe te LSI-ja.

Kjo maturi e z. Meta bëri që vetëm brenda një dekade, një parti e një vendi të vogël nisi me 500 anëtarë dhe u rrit në 260.000 vota. Rrallë ndodh, në Shqipëri por edhe në botë, që kreu i një partie të ecë paralelisht me partinë e tij në mënyrë progresive në rrugën e maturimit politik, dinamikës menaxhuese partiake dhe rritjes masive të numrit të mbështetësve. Është një formulë standarde e raportit lider-parti, në të cilën, ose lideri progreson dhe partia mbetet statike por në tentativë të sforcuar për ndryshim, ose anasjelltas. Në rastin e Ilir Metës dhe LSI-së është parë që si lideri, ashtu edhe partia, progresojnë në mënyrë konstante me dinamikë sa rinore aq edhe të matur, dhe absolutisht të suksesshme.

Gjithashtu, z. Meta nuk u përqendrua vetëm në rritjen e numrit të votave, por edhe në modernizimin, ose më saktë evropianizimin e partisë që ai drejton. Në sajë të frymës evropiane të drejtimit, sot LSI-ja është partia më e mbështetur nga rinia. Në rrjetet sociale lexojmë shpesh që rinia i referohet z. Meta si Miku i të Rinjve. Në sajë të frymës liberale dhe integruese LSI-ja ka arritur kuotën e 50% të përfaqësimit të grave në forumet drejtuese, 1/3 janë përfaqësues të LRI-së, si edhe partia e parë që zhvilloi një proces elektronik votimi me efikasitet dhe demokraci të plotë. Gjithashtu LSI-ja ka shërbyer si garantuese e stabilitetit politik të vendit.

Roli i saj në zgjidhjen e shumë krizave apo ngërçeve politike ka qenë esenciale. Një aspekt tejet i rëndësishëm i qëndrimeve të tij politike është fakti që në asnjë rast nuk është pozicionuar në krah të një partie apo koalicioni, por gjithmonë në mbrojtje të qytetarëve, nevojave dhe shqetësimeve të tyre, në krah të biznesit të vogël e të madh, të fermerëve dhe bujqve, dhe çdo kategorie njerëzish, si të rinjtë ashtu edhe moshat e treta. Një kryeministër i suksesshëm, një ministër i Jashtëm reformator, dhe siç u shpall edhe në një nga sondazhet e fundit, kryeparlamentari më i mirë në dy dekadat e fundit, e them me bindje që Ilir Meta është politikani më i suksesshëm në Shqipëri. Madje do e konsideroja edhe si një lektor të politikës shqiptare. Ndërsa, për sa i përket më të dobëtit, unë quaj si të tillë këdo politikan që vendos interesat e tij mbi ato të qytetarit. Këdo i cili ka privilegjin t’i shërbejë komunitetit, por refuzon apo neglizhon ta bëjë këtë.

Ndërkohë kur ‘zhvesh’ kostumin e politikës, si është e përditshmja juaj?
Dita ime është gjithmonë e ngarkuar. Zhvilloj shumë takime me njerëz të ndryshëm, kryesisht qytetarë, të cilët shprehin shqetësimet e tyre, dhe shpenzoj disa ditë në mënyrë të përjavshme në qarkun e Gjirokastrës për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit. Shpenzoj kohë me familjen time, të cilën e kam gjënë më të shenjtë në jetë, dhe takohem me miqtë e mi.

Kohët e fundit jeni bërë baba i një vajze; çfarë emocioni ndjeni teksa vjen një vogëlushe pas disa vitesh në familjen tuaj?
Pas shumë vitesh po përjetoj edhe një herë tjetër emocionin e papërshkrueshëm të një fëmije. Momentet më të bukura të jetës sime kanë qenë kur kam mbajtur në krahë vajzën time Eva dhe djalin tim Thomain, dhe tani kam kënaqësinë t’i përjetoj sërish ato momente me vajzën time Anastasia. Fëmijët janë gjëja më e bukur dhe më e çmuar në jetë. Jam krenar për të tre fëmijët e mi dhe bashkëshorten time, e mundohem të shpenzoj sa më shumë kohë me ta.

Çfarë babai jeni, i rreptë, apo ju pëlqen t’i trajtoni fëmijët si shokë?
Unë jam përpjekur t’i trajtoj fëmijët e mi si shokë, dhe kjo nuk ka qenë aspak e vështirë, pasi vajza dhe djali im janë dy fëmijë të mrekullueshëm të cilët më kanë bërë krenar si në shkollë, ashtu edhe në sjellje, komunikim dhe me botëkuptimin e tyre. Nga natyra jam i rreptë vetëm në lidhje me vlerat njerëzore dhe parimet mbi të cilat kam ecur në jetë. Drejtësia, mirësia, puna dhe dinjiteti, janë parime të miat për të cilat unë nuk bëj asnjë tolerim, por edhe në lidhje me to, fëmijët e mi të mrekullueshëm ma kanë bërë të lehtë, pasi ata i mbartin këto virtyte, madje edhe më shumë sesa unë, dhe nuk ka qenë aspak e nevojshme të tregohem i rreptë me ta, përkundrazi, kanë qenë dhe janë frymëzim për mua. Ata janë fëmijët më të mrekullueshëm dhe njëkohësisht dhe miqtë e mi më të mirë!

Cila është këshilla që u jepni gjithnjë fëmijëve tuaj?
Të vazhdojnë e të shndrisin në shkollë siç kanë bërë deri më tani. Të duan jetën dhe njerëzit, të ecin gjithmonë me drejtësi, dhe t’i shërbejnë shoqërisë sa më shumë e sa më mirë.
Ku e shihni veten pas 10 vitesh?
Pranë familjes dhe pranë njerëzve.

(m.k/VipPages/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: