Torra Veneciane një nga simbolet më interesante të trashëgimisë sonë kulturore në qytetin e Durrësit, do të shkëlqente nën vargjet e poezisë shqipe përgjatë katër netëve (19-21 korrik), duke u kthyer në një agora letrare.

Varg Festival, një Festival poezie i konceptuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, për të rikthyer vemëndjen tek vargu shqip, poetët shqiptar, në kuadër të projektit KultArt 2023 të Ministrisë së Kulturës, për ta cuar artin dhe kulturën aty ku është publiku, është kthyer në një nga hapësirat promovuese të librit dhe leximit, që ka bërë bashkë lexues dhe turistë në qytetet ku ka ndaluar.

Nata e parë e Festivalit në Durrës, bëri bashkë poetë nga Kosova si Ag Apoloni, Sibel Halimi dhe Arbër Selmani, duke sjellë një vështrim përmes vargjeve të letërsisë që bëhet sot në anën tjetër të kufirit. Për drejtoreshën e QKLL-së Alda Bardhyli, festivali nisi me Kosovën në mënyrë simbolike, për të folur për letërsinë shqipe si një të tërë, si një ftesë për një diskutim mbi bashkëkohësinë në zona kulturore ku kapacitetet e modernitetit kanë sjellë qasje interesante zhvillimesh në gjuhë e kulturë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sibel Halimi e njohur si sociologe e poete, kërkoi më shumë hapësirë përmes vargjeve për gruan shqiptare, e cila sipas saj, endet në një terren të margjalizuar, dhe ku seksizmi vijon të jetë i pranishëm. Ag Apolloni, i vlerësuar me special mention në Çmimet Europiane të Letërsisë 2022, foli mbi vlerat e traditës, në kontekste të reja vështrimi. Për Arbër Selmanin, poezia na lejon të njohim më mirë tjetrin dhe gjithë vargjet e tij janë histori, pasi poezia nuk është gjë tjetër vecse historia e gjithsecilit prej nesh.

Poezia na bën të lirë, tha Selmani, duke hedhur idenë e lirisë, si pak të elaboruar në poezinë shqipe. Kjo ide do të vijonte dhe natën e tyre të festivalit, me poeten Rita Petro, e cila në vargjet e saj kërkon të flasë për forcën e trupit, duke e parë atë si një element të rëndësishëm të qënies njerëzore.

“Poezia ka të bëjë me ujërat e thella të botës njerëzore, imagjinatën, shpirtin, kurajon, mendimet më të thella. Koha kur jetojmë ka nevojë për më shumë poezi, kulturë. Ne duam të zgjojmë hapësira kulturore, e një nga elementët e këtij festivali është të bëjë bashkë krijuesit në qytetet ku ai ndalon. Në Durrës por edhe në Sarandë ku ndaluam këto ditë pjesë e festivalit u bënë dhe krijuesit vendas. Klubi i poetëve Jonian, në Sarandë prej vitesh mirëpret në këtë qytet poetë nga gjithë bota, por mban gjallë dhe shpirtin poetik të qytetit. Eshtë shumë e rëndësishme të dëgjojmë dhe të vlerësojmë këto komunitete që kanë nevojë për më shumë hapje”, thotë Bardhyli.
Brajan Sukaj, Pol Milo, Bledar Kurti, Loer Kume, të rinj nga qyteti i Durrësit erdhën në natën e fundit të festivalit në Durrës me lexime e reflektime mbi letërsinë në qytete përtej Tiranës, duke sjellë ide interesante mbi procesin e krijimit, por dhe raportin që kanë me qytetin në këtë proces.
Përgjatë datave 27-29 korrik, Varg Festival ndaloi në qytetin e Sarandës, ku mbrëmjeve shëtitorja e qytetit u përshkrua nga vargjet e poetëve të ftuar. Qindra turistë iu bashkuan mbrëmjeve ku poezia vinte nga thellësia e detit dhe dritës së hënës për të folur për forcën e madhe që ajo do ketë gjithnjë në shpirtin njerëzor.
Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Josif Papagjoni, Odise Kote, Aleksandër Çipa, Kristo Çipa, klubi i poetëve Jonianë, por dhe poetë të rinj nga gjimnazet e qytetit performuan me gjuhën e zemrës vargje.
Më datat 8-10 gusht Festivali ndaloi në qytetin e Lasgush Poradecit e Mitrush Kutelit, ku poetët Natasha Lako, Nurie Emrullai, Skënder Rusi, Enea Ruci, Mimoza Ahmeti, intepretuan nën erën që vinte përtej liqenit.Ndalesa e fundit e festivalit do të jetë qyteti i Shkodrës 22-24 gusht. Patar Matoviq, poet i njohur serb, Ledia Dushi, do të hapim mbrëmjen e parë në qytetin e Migjenit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb