Nga: REZARTA PASHALLARI

TIRANE– Vasil Bedinaj, kandi dati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, ka ëndërr ta shohë qytetin e tij të bëhet i jetueshëm për të gjithë, ndaj mori përsipër një sfidë: të garojë në zgjedhjet lokale pa asnjë parti. Partia e tij janë qytetarët e Vlorës. Sipas Bedinajt, i cili e ka prekur pëllëmbë më pëllëmbë njësinë e re administrative të Vlorës pas reformës territoriale, në këtë zonë nuk flitet më për indeks lumturie, por për atë çka këta qytetarë mund të gjejnë për të shtuar darkën. Me një sërë projektesh konkrete, një zë apolitik që premton se do jetë kryeshërbëtori i Vlorës 365 ditë të vitit, Vasil Bedina shpjegon për “Gazetën Shqiptare” detajet e platformës së tij.

Ju jeni kandidat i pavarur në Vlorë; cilat janë projektet tuaja për tjetërsimin e zonës?
Programi im elektoral fokusohet në 5 shtylla të rëndësishme: infrastrukturë, mjedis, turizëm, biznes, punësim. Nëpërmjet programit që do të vëmë në zbatim që në ditët e para të punës në bashki, do të fillojmë transformimin rrënjësor të qytetit. Infrastruktura bazë në çdo zonë të banuar, ujë i pijshëm i rrjedhshëm, kanalet e vaditjes për bujqësinë, zgjerimi i hapësirave të gjelbra, taksimi i lehtësuar për biznesin e vogël, ndërtimi i tregjeve të qytetit e fshatrave. Ne do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë turizmit, për t’i dhënë qytetit rëndësinë e duhur. Do të çojmë rrugë në të gjitha pikat tona arkeologjike e turistike, do të pajisim me guida të posaçme dhe me sinjalistikën e duhur për të orientuar turistët. Do të promovojmë qytetin dhe produktet tona brenda dhe jashtë vendit. Thënë thjesht, do të përveshim mëngët për të rritur ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve të Vlorës.

Ju keni tashmë një program konkret për të realizuar në zonë. Me kë jeni konsultuar për hartimin?
11 specialistë të çdo sektori, kanë qenë, janë dhe do të jenë krah kryetarit të bashkisë në çdo hap. Hartimi i programit ka marrë një kohë të gjatë në terren, për të prekur dhe mbledhur nga afër problematikën në çdo zonë. Ne i kemi përcaktuar saktë prioritetet dhe afatet që i kemi vënë vetes për realizimin e tyre. Do të fillojmë të prekim sektorët më jetikë, sikurse janë infrastruktura dhe uji i pijshëm. Por ju e dini, rrugë do të thotë mirëqenie. Infrastruktura e duhur do të krijojë më shumë lehtësira për biznesin, turizmin dhe investitorët e huaj, të cilët i shohim si financues potencialë. Ne synojmë të rrisim numrin e të punësuarve në qytet, kryesisht të rinjve. T’u krijojmë atyre hapësira dhe lehtësira, qoftë në iniciativa të vogla biznesi, apo dhe çeljen e bizneseve të mëdha që gjenerojnë potencial punësimi.

Vlora me reformën territoriale kap tashmë dhe Bashkinë Orikum. Si do i afroni turistët në zonë; projektet tuaja?
Reforma e re territoriale na vë përballë sfidës dhe detyrimit për të menaxhuar si duhet një prej njësive vendore më të bukura e më me perspektivë zhvillimi të vendit. Turizmi elitar, edhe pse një term i përdorur rëndom, nuk do të jetë më klishe kur flitet për Vlorën. Si njohës i mirë i kësaj fushe, turizmi është sektori që shikoj me dashuri të shtuar e të cilit nuk lodhem t’i dedikohem ditënatë. Do të rikonceptojmë shërbimet turistike, do të hartojmë guida turistike dhe “e-pocket guide”, do të krijojmë panairet artizanale, një në Vlorë dhe një në Orikum, për të nxitur traditën. Do të disiplinojmë brenda vitit të parë derdhjen e ujërave të zeza në det, si domosdoshmëri për cilësinë e ujërave detare. Do të zhvillojmë zonat buferike, për të rritur vizitorët rreth parqeve të mbrojtura, parqeve ujore dhe zonave deri tani pak të vizituara, si Karaburuni, Sazani, Parku i Orikut etj. Do të respektojmë saktë ligjin për hapësirat publike nën administrimin e privative apo të bashkisë dhe do të ofrojmë, mbi të gjitha, plazhe të mirëmbajtura në çdo skaj të territorit të ri të Bashkisë Vlorë.

Cila është motoja juaj e fushatës?
Jam në këtë garë për t’u kthyer qytetarëve shpresën e humbur nga braktisja e punëve në këto 25 vite. Ndjej detyrimin ta bëj Vlorën një qytet të jetueshëm. Ndaj dhe motoja ime në këtë fushatë është: Beso për Vlorën!

Kjo fushatë ka pasur diferencime; ju, do bëni diferenca të zgjedhësve nëse fitoni?
Kam hyrë në këtë garë si kandidat i pavarur, e në fakt nuk kam aderuar dhe nuk aderoj në asnjë subjekt politik, por njëkohësisht unë jam kandidati më i varur. Kam zgjedhur të përfaqësoj plot 210 mijë qytetarë vlonjatë; për mua ata janë partia ime, ata janë forca ime në këto zgjedhje, dhe do të jemi bashkë në çdo hap të ri në të mirë të qytetit.

Z.Bedinaj, cila është e kaluara juaj, historia e karrierës dhe familjes?
Jam një prej shumë të rinjve që në vitet e mbrapshta të komunizmit theva rrethimin, sepse gjithmonë kam dashur lirinë, barazinë dhe të drejtën e gjithsecilit për ta ndërtuar jetën e tij të bukur, të pavarur. Unë i dua sfidat, ndaj dhe në fund të ‘89-tës mora rrugën, pa ditur nëse do të kthehesha më gjallë, teksa planifikoja të kaloja ilegalisht kufirin. Ende kam plagë në trup, plagë të një regjimi që më shumë se plumbat, më mori jetën e mikut tim më të mirë. Por ia dola! Jo vetëm për vete, por për shumë të tjerë që ndoqën shembullin tim dhe arritën t’i sjellin vendit fundin e një epoke. Ia dola, sepse besoja dhe besoj te liria, te e drejta, dhe i kam të qartë objektivat e së ardhmes. Emigrova së pari drejt Greqisë, më tej në SHBA, ku punova, punova shumë, sepse kisha vetëm një qëllim: të rikthehesha për të ndërtuar jetën time këtu, në Vlorë. Në vitin 2002, me të ardhurat e emigracionit nisa punën fillimisht me një restorant modest, por përkushtimi ndër vite dhe respekti për punën bënë që për më pak se katër vite të nisja ndërtimin e asaj që sot mban emrin “Hotel Regina” dhe më pas të agjencisë turistike “Regina Tours”. Promovimi i sektorit turistik edhe jashtë vendit më solli në krye të shoqatës së operatorëve turistikë për jugun e Shqipërisë, ATA. Prej shumë vitesh bashkëpunoj me homologë nga vende europiane për të rritur numrin e vizitorëve të huaj në qytet, e për këtë jam vlerësuar me “Çelësin e Argjendtë” për turizmin. Kam një familje të lumtur, sepse im bir rritet shëndetshëm, dashuron Vlorën dhe detin. Enea është 8 vjeç është fryt i dashurisë me bashkëshorten time Sonilën, që ka qenë dhe është mbështetja ime më e madhe.

Kandidat i pavarur në Vlorë, si i shihni konkurrentët e tjerë?
I vlerësoj njësoj si gjithë qytetarët e Vlorës, nga larg, sepse nuk i njoh as unë e as shumë bashkëqytetarë të mi. Ata janë në Vlorë jo për të përfaqësuar qytetarët, por për të përfaqësuar liderët e tyre politikë.

Ju vini nga bota e biznesit, si ju duket menaxhimi i një bashkie?
Bashkia e Vlorës, pa frikë mund të listohet si një ndër bashkitë me të ardhura të konsiderueshme. Nëse u referohesh buxheteve të viteve të mëparshme, do të shihni se as investimet nuk kanë munguar, madje dhe në shifra të konsiderueshme. Por shumë prej atyre nuk janë më, taksat nuk janë mbledhur, rrugët e investuara janë amortizuar, ujësjellësi nuk është funksional, hapësirat publike janë betonizuar. Tregu i ndërtimit është bllokuar, ka me qindra apartamente të pashitura. Problemi i Vlorës nuk kanë qenë dhe nuk janë të ardhurat, por efiçenca e investimeve, cilësia e tyre. Pa droje mund të them se nuk janë mirëmenaxhuar të ardhurat, supervizioni i bashkisë ka munguar në investime madhore. Nuk premtoj të bëj mrekulli, por premtoj se ky është shembulli që nuk do të ndjek. Ky është modeli i dështimit jo i një kryebashkiaku, po i një administrate të tërë.

Çfarë problemesh keni hasur nga bashkëbisedimi me banorët?
Më vjen keq ta pranoj, por në gjithë këto ditë të fushatës elektorale, kam parë një realitet që s’më ka pëlqyer aspak. Është edhimbshme, por, edhe pse në 25 vite demokraci, kërkesat e qytetarëve janë jetike. Kërkojnë ujë, rrugë e punë, asnjë luks! Në Vlorë nuk flitet për indeks lumturie, por për çfarë do të shtrojnë në tryezë në mbrëmje. Fshatrat janë të varfra, nuk kanë ujë për vaditje, as infrastrukturë ndihmëse për bujqësinë. Në komunën e Novoselës duhet ndërhyrje emergjente në argjinaturat e Vjosës, përndryshe nuk i shpëtojnë përmbytjes, prodhimet bujqësore të këtij viti u dëmtuan, po ashtu edhe tokat. Tabloja është përgjithësuese.

Keni ndonjë projekt konkret për përmirësimin e jetës në fshatrat e Vlorës?
Sigurisht që po! Harta e re e qytetit të Vlorës përfshin 39 fshatra, sa të njëjtë, aq dhe të ndryshëm në specifikën e tyre. Infrastruktura rrugore është pengesa e parë që synojmë të superojmë, duke i bërë këta fshatra pjesë të integruar të qytetit; së pari do të mendojmë për të ofruar shërbimin urban në orare të sakta e itinerare të përcaktuara në funksion të banorëve të zonës. Në Novoselë e Shushicë prioritet ngelen bujqësia e blegtoria, ndërsa komuna Qëndër dhe Bashkia e Orikumit e kanë të prirur zhvillimin drejt kulturës së ullinjve, blegtorisë, por spikat turizmi, me plazhe ranore në Nartë, kalanë e Kaninës apo dhe tokat pjellore të Tragjasit. Ndihma e parë që kërkojnë fshatrat janë ndërhyrjet në ujësjellës e kanalizime, për të cilat do të punohet me intensitet, për të rikuperuar çdo mangësi gjatë 4-vjeçarit të parë. Do të ndërhyjmë gjithashtu në godinat e shkollave dhe kopshteve në fshatra, pasi në shumë prej tyre fëmijëve u duhet të udhëtojnë drejt fshatrave më të afërt për shkak të mungesës së kushteve.

Çfarë parashikoni në programin tuaj për bujqësinë dhe blegtorinë?
Në tregjet e qytetit të Vlorës, taksa për prodhimet vendase (nga fshatrat e Vlorës) do të jetë më e ulët, për t’i favorizuar në çmim prodhimet bujqësore të Vlorës. Do t’u sigurojmë fermerëve shërbimin e magazinimi për produktet bujqësore. Do të krijojmë markën “Made in Vlora” e kështu produktet tona do të rrisin cilësinë për të konkurruar, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.

Vlora ka tre kandidatë; si e shihni luftën zgjedhore?
Ne nuk e shohim si luftë zgjedhore, e shohim si një lëvizje qytetare për të ndryshuar tërësisht mendësinë me të cilën kanë votuar deri më tani qytetarët. Jam i sigurt se kjo nismë merr jetë në Vlorë në 21 qershor, sepse nga Vlora ka nisur përherë ndryshimi.

Papunësia është plagë e vazhdueshme; keni menduar ndonjë program konkret?
Një prej shtyllave të programit është punësimi; e kemi listuar të fundit e jo për nga rëndësia. Reformimi i të gjithë sektorëve, si përmirësimi i infrastrukturës rrugore e ujësjellësve, lehtësimi i barrës fiskale për biznesin e vogël, krijimi i një klime pozitive dhe mikpritëse për investitorët e huaj (kemi marrëveshje me 80 investitorë që kanë shprehur interes të investojnë në Vlorë). Krijimi i kushteve bazë për zhvillimin e bujqësisë, rritja e cilësisë së shërbimeve në sektorin e turizmit; të gjitha këto përkthehen me punësim të qëndrueshëm e afatgjatë.

Çfarë do të përmirësoni në drejtimin e administratës së bashkisë?
Do të ketë dy kritere bazë: kualifikim dhe dëshirë për të punuar!

Kush është projekti i parë që do të realizoni nëse fitoni zgjedhjet? Një prej problemeve më të mprehta që Vlora ka është ai i menaxhimit të mbetjeve urbane. Ato akumulohen prej vitesh në ishfushën e Aviacionit, digjen aty çdo ditë, në një zonë me një popullsi 2000 banorë dhe shumë pranë qendrës së qytetit. Aty do të ndërhyhet së pari, në pastrimin e zonës nga të gjitha mbetjet e më pas në ndërtimin e një qendre multifunksionale për 25 disiplina sportive në funksion të të gjithë qytetarëve të Vlorës. Ky është objektiv i vitit të parë.

Pse qytetarët e Vlorës dhe komunave duhet t’ju votojnë ju?
Jemi alternativa e vetme që u ofron atyre një administrator e menaxher të mirë, dhe jo një politikan të mirë në krye të Bashkisë së Vlorës. Jam zotuar se s’do të jem asnjë ditë kryebashkiak, por kryeshërbëtor i qytetarëve.

Çfarë do u thoshit sot zgjedhësve që ata t’jua besojnë votën e tyre juve?
Kam ëndrrën ta shoh qytetin të transformuar, të bukur, të ndriçuar, të jetueshëm për të gjithë. Bashkë me ta ndryshimi është i mundur. Besoni për Vlorën!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: