TIRANE – Kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili thekson se reforma në drejtësi është një reformë e një dimensioni jetik për qytetarët, të cilët presin ndryshime që do ta bëjnë më të besueshëm sistemin.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Vasili theksoi se është e rëndësishme që reforma të orientohet tek elementët parimorë.
“Të folurit për instrumentet dhe largimi nga parimet do të ishte një gabim fatal.”- tha Vasili.

Lidhur me çështjen e dekriminalizimit, Vasili u shpreh i bindur se palët do të gjejnë konsensus edhe për pikat që kanë mbetur, në mënyrë që të përmbyllet procesi. Sipas Vasilit, është e rëndësishme që çështja e testit të drogës të mos kthehet në kurthin politik që prodhon ngërçin e radhës.

“Draftet, pr/ligjet kanë qenë transparente dhe besoj që është ezauruar pjesa më thelbësore e tij dhe besoj se do gjendet patjetër një zgjidhje edhe për të kaluar problematikën e testit të drogës. Unë mendoj që ashtu siç ishte e aftë politika për të arritur konsensusin, nuk e shoh të pamundur dhe të pakapërcyeshëm këtë moment për të gjetur një zgjidhje që i jep përgjigje këtij preokupacioni që opozita ngre.”- deklaroi Vasili.

I pyetur për akuzat që janë ngritur ndaj tij se ka gisht në emërimet e disa mësuesve, Vasili u shpreh se kjo akuzë është tepër humoristike.

“Këto shaka e humore fiktive e boshe, le t’ua lemë atyre të aftëve që nuk kanë mundur të fitojnë. Ata merren me këto lloj gjërash që unë nuk jam marrë as kur kam qenë në shtet e jo më tani më vonë”, – tha Vasili.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: