Një vatër masive zjarri ka përfshirë fshatin Drizë në Fier, duke detyruar autoritetet të evakuojnë 11 familje dhe të bllokojnë qarkullimin e mjeteve në segmentin rrugor “Qafa e Koshovicës–Cakran”, për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve.
Sipas Policisë, zjarri ka nisur pranë vendit të quajtur “Azotiku” në fshatin Drizë dhe, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur drejt zonës së Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë, Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të rrezikut të lartë, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre dhe vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar rrezikimin e banesave dhe objekteve të tjera.
Policia Rrugore ka bllokuar qarkullimin në të dy drejtimet e segmentit “Qafa e Koshovicës–Cakran”, ndërsa po asiston forcat zjarrfikëse në transportimin e mjeteve dhe pajisjeve në terrenin e vështirë.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar. Autoritetet kanë bërë të mundur edhe shuarjen e flakëve që përfshinë një banesë, duke shmangur dëme të mëdha dhe duke regjistruar vetëm dëmtime të vogla materiale.
Njoftimi:
Vatra e zjarrit, e cila ka nisur fillimisht pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, e më pas është përhapur në zonën e Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara në afërsi të fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë që favorizon përhapjen e flakëve, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, si dhe vijojnë të monitorojnë banesa dhe subjekte të tjera në zonë që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në të dy kahet e rrugës, në segmentin “Qafa e Koshovicës–Cakran” dhe anasjelltas, si dhe po asistojnë shërbimet zjarrfikëse në terren, duke mundësuar transportin e pajisjeve dhe mjeteve zjarrfikëse në zonat me terren të vështirë.
Deri në këto momente, pavarësisht rrezikut të lartë, nuk është raportuar asnjë rast asfiksie apo lëndimi të banorëve. Gjithashtu, është bërë e mundur shuarja e flakëve që kishin përfshirë një banesë, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Në vendngjarje janë angazhuar forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Policia Rrugore, grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, si dhe drejtuesit e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, të cilët po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën në terren.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë shoqëruar 2 shtetas të dyshuar për shkaktimin e zjarrit dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për grumbullimin e provave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë së DVP Fier, me mbështetjen nga ajri të helikopterëve të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit.
