TIRANE-Vdekja e Arditit 17-vjeçar po hetohet me ngadalësi nga institucionet e drejtësisë. Justifikimi i policisë dhe prokurorisë lidhet me kohën kur ka ndodhur ngjarja, në muajin gusht. Gjatë kësaj kohe, njerëzit e drejtësisë janë me pushime dhe, në përjashtim të ndonjë afati hetimor, pakkush bën edhe punë investiguese. Koha e kaluar duket se po “fshin” gjurmët e kësaj vrasje në landfillin e Sharrës, ndërsa prokuroria thotë se ka disa prova, por që vetëm zbardhin mekanizmin e ngjarjes dhe jo mënyrën sesi operon firma.

Nga të dhënat hetimore mësohet se një punonjës i firmës “3R” ka treguar mekanizmin, teksa ka pranuar se Arditi i ndjerë punonte me kohë të plotë në Sharrë, megjithëse ishte 17-vjeç. Ai nuk rezultonte të ishte i siguruar dhe për këtë arsye, prokuroria ka ngritur akuzë ndaj disa drejtuesve të kësaj firme, por edhe ndaj fadromistit, mjeti i të cilit shtypi Ardit Gjoklajn.

Nga të dhënat hetimore mësohet se personi që ka tradhtuar firmën “3R” është Dëfrim Hakrama, përgjegjës i turnit në landfillin e Sharrës, natën kur gjeti vdekjen 17 vjeçari Gjoklaj. Ai është marrë në pyetje nga prokurori Julian Zonja dhe në prani të avokatit. Hakrama ka treguar me detaje për punësimin e 17 vjeçarit Gjoklaj. Ai i ka thënë hetuesve, se kishte mbi 40 ditë që i riu vinte në landfill ku punonte në selektimin e mbeturinave. Në disa rast, ka thënë Hakrama në landfill punonte edhe vëllai i viktimës, që ishte rreth 15 vjeç. Për natën e ngjarjes, përgjegjësi i turnit është shprehur se i riu ka qenë në punë së bashku me rreth 20 punëtor të tjerë. Ai ka qenë prezent, kur është bërë apeli dhe caktimi i vendeve të punës ka thënë Hakrama në momentin e marrrjes së turnit.

Rreth orës 03:00 të mëngjesit, sipas përgjegjësit të turnit është bërë pushim pasi edhe po binte shi. Pas pushimit, rreth orës 03 e 30 minuta janë caktuar vendet e tjera të punës dhe që nga ai moment, është shprehur Hakrama, asnjë nga punëtorët nuk e mban mend vendin ku e kanë parë për herë të fundit të riun që u gjet i vdekur disa orë më pas i mbuluar nga mbeturinat.

(Gazeta Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: