E teksa elektricisti Prend Ceca, i cili humbi jetën në krye të detyrës u përcoll për në banesën e fundit më gjam burrash, çfarë simbolizon shkallen më të rëndë të dhimbjes në veri të Shqipërisë, ende nuk është zbardhur e vërteta se si u shkaktua vdekja e tij.

Policia dhe Prokuroria e Pukës kanë përqendruar hetimet tek pakujdesia njerëzore. Dyshime të forta ka se në kohen kur 34-vjeçari Prend Ceca po punonte në shtyllën e tensionit të mesëm në fshatin Fierzë të Pukës, është takuar energjia elektrike, veprim ky i cili i mori dhe jetën.

Policia e Pukës fillimisht shoqëroi tre persona, punonjës të Nënstacionit 110/10 të Fierzës, por pasi u pyeten për disa orë ata janë sërish të lirë. Ndërkohë është sekuestruar libri i shënimeve në Nënstacionin e Fierzës, telefoni celular i elektricistit të ndjerë dhe ai i Nënstacionit.

Por cila është skema për të cilën po hetohet? Nisur dhe nga rregullorja e ndërhyrjeve të tilla, oficerët që po hetojnë ngjarjen kanë dyshime të forta se elektricisti fillimisht ka komunikuar me përfaqësuesit teknikë, gjë e cila nuk është vërtetuar ende, ashtu sikurse në Nënstacionin 110/10 nuk është gjetur asnjë shënim se po ndërhyhet në rrjet.

Ajo çfarë ka lënë gjurmë në veprimet e Nënstacionit të Fierzës është njoftimi që ky i fundit i ka bërë dispeçerisë qendrore në Shkodër se ka rënë Fideri i Fierzës, kohë kjo e cila përkon me çastin kur elektricisti ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, çfarë i mori dhe jetën.

Pyetjet mbi të cilat hetuesit po ndërtojnë hap pas hapi skemën e veprimeve deri në ngjarjen që i mori jetën 34-vjeçarit janë: A kishte njoftuar elektricisti dikë para se të ndërhynte për riparimin e defektit në rrjet? Cilët janë personat me të cilët ka kontaktuar ai? A u neglizhua diku protokolli i veprimeve për ndërhyrje të tilla, dhe nëse po kush u tregu i pavëmendshëm?
Të gjitha këto pyetje pritet të marrin përgjigjet e sakta vetëm pasi të jenë zbardhur tabulatet telefonike.

Eprorët e tij përgjegjës për ndërhyrjet dhe punonjësit e Nënstacionit 110/10, të cilët ishin në punë në kohen kur ndodhi ngjarja, gjatë deklarimeve në Polici kanë mohuar se kishin komunikuar lidhur me këtë rast me elektricistin, çfarë shton dhe më shumë dyshimet mbi rrethanat në të cilat u shkaktua dhe humbja e jetës së Prend Ceces.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb