Teksa kanë kaluar mbi 11 muaj nga dhunimi i vajzës keniane Xhoi Ayoko dhe 5 muaj nga vdekja e saj, ende autoritetet shqiptare nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje.

News24 zbardh detaje të reja se si u fshehën provat, po ashtu ka siguruar informacione rreth vdekjes së Xhoit në Kenia, ku ka shumë hije dyshimi dhe paqartësi se çfarë ndodhi në spitalin Keniata, aty ku Xhoi më 13 shkurt frymoi për herë të fundit.

Pjesë  nga dokumentari:

Zyrtarisht deri më sot nga autoritetet shqiptare nuk kemi asnjë përgjigje për hetimet për çështjen e vajzës keniane, prokuroria ende nuk ka persona të akuzuar dhe çështja po shkon drejt harresës. Nga 13 gushti i vitit të shkuar kanë kaluar mbi 11 muaj nga dhunimi barbar i Xhoit dhe ende autoritetet shqiptare nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje, për më tepër nuk kanë arrestuar asnjë person, ende vrasja e Xhoit nuk ka autor dhe vijon të mbetet mister.

Pse po zvarritet kaq shumë çështja e Xhoit? A ka prova të mjaftueshme grupi hetimor për të shkuar tek autorët? Për t’u përgjigjur kësaj pyetje kthehemi pas në kohë dhe shkojmë datën kur ndodhi ngjarja e rëndë, më 13 gusht të vitit 2022. Kjo ngjarje, manipulimin e ka që në gjenezë.

Burime të besueshme dhe kofidenciale i thanë News24 se sigurimi i provave në vendin e ngjarjes nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe profesionale nga policia. Madje policia ka marrë masa edhe ndaj oficeres e cila ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke e larguar nga komisariati nr.1 në Tiranë dhe e kanë transferuar në një pozicion tjetër pune jashtë Tirane.

Ngjarja me gjazën keniane është neglizhuar që në këqyrjen e parë të vendngjarjes. Gjithçka është mbyllur që aty, pasi nuk i është dhënë rëndësi mbledhjes të të gjitha provave të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes. Vendi i krimit është vend i rëndësisë së posaçme për veprimet hetimore të organeve hetuese sepse çdo veprim i pakujdesshëm mund të shkaktojë pasoja të parikuperueshme në këtë stad të procedurës. Këqyrja e vendit të ngjarjes është veprimi i parë hetimor me anën e të cilit organi procedues fillon të ngrejë themelet e hetimit.

Në rastin e Xhoit kjo gjë nuk është bërë dhe e gjithë ngjarja është trajtuar si vetëvrasje, me qëllim për ta mbyllur dhe fshehur. Edhe pse policia e ka referuar në kohë çështjen në Prokurori, kjo e fundit filloi të vepronte vetëm kur ngjarja u bë mediatike, 3 muaj pasi kishte ndodhur incidenti në banesën ku Xhoi rrinte së bashku me bashkëkombësen e saj keniane, Emily Mutua, e cila është e përfshirë në këtë ngjarje, pasi dyshohet se ka fshirë provat. Emili pas ngjarjes ka hapur telefonat e Xhoit, këtë e vërtetoi edhe shoqja tjetër e Xhoit, Xhoi Brenda, e cila tha se i ka dhënë paswordin e telefonit të Xhoit, Emilit.

Madje Emili në komunikimet që ka pasur me njerëz të afërt të Xhoit dhe miqtë e përbashkët i ka thënë këtyre të fundit edhe emrin e personit që dyshon së vrau Xhoin. Hetuesit i dinë këto fakte për Emilin dhe mund t’i vërtetojnë duke sekuestruar telefonat e saj dhe të hapin të gjitha bisedat që janë kryer, nëse prokuroria do ta bënte këtë, Emili sot duhej të ishte e arrestuar për dëshmi të rreme, si dhe për pengim të zbulimit së të vërtetës. Por, kur kanë kaluar 11 muaj nga ngjarja, Emili thjesht është marrë në pyetje disa herë nga grupi hetimor dhe mbi të nuk rëndon asnjë akuzë.

Po ashtu Mjekësia Ligjore në Shqipëri nuk ka ende një raport zyrtar për të vërtetuar faktin që Xhoi është dhunuar barbarisht, pra një raport ku sigurohen prova biologjike dhe shkencore, që zbulojnë menjëherë autorët e krimit të dhunimit dhe përdhunimit të Xhoit. Asnjë raport i Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk është parë deri më sot për ngjarjen e vajzës keniane, por hetuesit thonë që është sekret hetimor dhe nuk bëhet publike. Pyetja që shtojmë për 11 muaj ky raport nuk mund të lexohet nga prokuroria?

Grupi hetimor ka dërguar letërporosi në Kenia prej 2 muajsh, ku kërkon raportin mjeko-ligjor të vdekjes së Xhoit të bërë nga autoritetet keniane, po ashtu kërkon që të merret në pyetje edhe nëna e Xhoit, Ruth Abongo, ku autoritetet shqiptare i kanë nisur një sërë pyetjesh autoriteteve keniane, por ende nëna e Xhoit nuk është thirrur nga autoritetet keniane.

“Këto dokumente të spitalit të Kenias janë një provë e rëndësishme për prokurorinë. Ky raport tregon shkakun e vdekjes së Xhoit, akt-ekspertiza vërteton faktin se dhuna dhe goditjet e forta që i shkaktuan Xhoit, i sollën vdekjen pas 6 muajsh në koma.”

E çuditshme se si po vepron prokuroria shqiptare, edhe pse nëna e Xhoit qëndroi 6 muaj me vajzën në Shqipëri, ajo nuk u mor dhe nuk u pyet asnjëherë me detaje për ngjarjen e vajzës së saj, por prokuroria kujtohet 9 muaj pas ngjarjes dhe 4 muaj pasi Xhoi ndërroi jetë. Madje të vetmen herë që u pyet Ruth Abongo, policia dhe prokuroria i thanë nënës së Xhoit se vajza e saj është vetëvrarë. Që këtu nisi dhe reja e zezë që mbuloi me terr e mister çështjen e Xhoit.

Manipulimi dhe fshehja e provave të ngjarjes së Xhoit është i frikshëm, kjo vërtetohet edhe në faktin se akt-ekspertiza mjeko-ligjore e vajzës është bërë vetëm në letra. Ende nuk ka një raport zyrtar nëse Xhoi është dhunuar dhe përdhunuar.

Burime kofidenciale thanë për News24 se akt-ekspertiza e parë mjeko-ligjore është bërë pa këqyrur trupin e vajzës. Një skandal i autoriteteve shqiptare, që kanë anashkaluar provën më të rëndësishme për të zbuluar autorët e dhunimit barbar të Xhoit. Në dokumente zyrtare Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë se përgjigjet për akt-ekspertizat mjeko-ligjore i jep vetëm për autoritetin kërkues, prokurorinë. Në dokumente del haptazi mosserioziteti dhe manipulimi që është bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sepse prokuroria e ka regjistruar çështjen e Xhoit më 22 shtator, ndërsa në dokument Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë që janë bërë dy akt-ekspertime më datë 2 shtator dhe 9 shtator.

Pra, si është e mundur, më parë janë bërë akt-ekspertimet dhe më pas është regjistruar çështja në prokurori. Si është e mundur të jenë bërë akt-ekspertime pa u kërkuar nga prokuroria, kur vetë Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë në dokument se për marrjen e përgjigjes së akt-ekspertimit duhet t’i drejtohemi prokurorisë sepse ai është organi kërkues i këtij ekspertimi?

Pra, akt-ekspertimi i parë i Xhoit është bërë vetëm në letër pa u këqyrur trupi i vajzës dhe të gjitha dëmtimet janë konsideruar si të marra nga vetëhedhja për t’i qëndruar versionit të vetëvrasjes. Grupi hetimor ka kërkuar të bëhet sërish akt ekspertimi i Xhoit dhe edhe sot e kësaj dite ende grupi hetimor nuk ka një përgjigje nëse Xhoi është dhunuar dhe përdhunuar.

Kjo tregon qartazi se ky veprim bëhet qëllimisht për të mos zbuluar autorët e vrasjes së Xhoit, pasi nëse është bërë siç duhet akt-ekspertiza e dytë mjeko-ligjore përfitohen prova shkencore dhe biologjike të pakundërshtueshme të autorëve dhe ngjarja zbardhet. Sot pas 11 muajsh nuk ka ende një përgjigje. Policia dhe prokuroria e dinë të vërtetën, i dinë autorët. Por pse nuk po veprojnë? Burime nga organet hetuese thonë se po presin përgjigje të letërporosive nga Kenia.

BalkanWeb 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb