TIRANE– Dy ditë nga vdekja e 18-vjeçarit Albi Luka në paraburgimin e Shënkollit, ekspertët e Avokatit të Popullit, kanë nisur hetimet mbi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së të riut me urdhër të Igli Totozanit.

“Ekspertët e Avokatit të Popullit, pas raportimit në media të dyshimeve të familjarëve të të riut për ushtrim dhune ndaj tij, do të bëjnë verifikimet e domosdoshme, në përputhje me kompetencat që i njeh ligji. Ekspertët e Avokatit të Popullit do të kërkojnë informacione nga autoritetet drejtuese të IEVP-së së Shën Kollit, si dhe do të takohen me familjarët e të riut që humbi jetën”- thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Kujtojmë se një ditë më parë gjatë një prononcimi për “News24” dhe “BalkanWeb” njerku i të riut, Ardian Korra tha se kishte folur me djalin pak orë përpara se ai të merrte aktin ekstrem dhe nuk kishte shfaqur asnjë problem. Ndër të tjera ai shprehet se dyshojnë se 18-vjeçari është vrarë pasi ka dëmtime në kokë dhe djali nuk do varroset pa u zbardhur e vërteta.

“Fola me djalin në mëngjes dhe nuk kishte asnjë problem. Pas 3-4 orësh më njoftuan nga Policia për ngjarjen. Drejtori i Burgut në Shën Koll më tha se djali kishte pirë gaz. Albi ka dëmtime në kokë dhe ne dyshojmë se e kanë vrarë. Më thanë se i kanë bërë autopsinë, por nuk u besoj. Pse duhet të bënin autopsinë në kokë”- tha Ardian Korra.

Edhe pse u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Lezhës, bluzat e bardha thanë se 18-vjeçari ka mbërritur pa shenja jete në spital. Viktima ishte arrestuar një muaj më parë dhe mbahej në paraburgim. Ende nuk dihen arsyet që e shtynë të riun drejt aktit të vetëflijimit, ndërkohë policia po vijon hetimet për ngjarjen.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb