Ka nisur sot procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Erion Veliaj në GJKKO, por seanca është shoqëruar me zhvillime procedurale lidhur me mungesën e të pandehurit.
Veliaj nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa sipas deklarimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij në seancë.
Avokati i tij, Plarent Ndreca, deklaroi se mungesa e klientit të tij përbën pengesë për zhvillimin normal të gjykimit, duke theksuar se Veliaj nuk ka shprehur vullnet për pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në seancë. Ai ngriti gjithashtu pretendime lidhur me dosjen hetimore, duke kërkuar që të gjithë fashikujt t’i vihen në dispozicion sipas urdhrit të gjykatës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK deklaruan se, sipas rrethanave të deritanishme, Erion Veliaj nuk ka marrë dijeni për datën dhe orën e seancës. Ata shtuan se Drejtoria e Burgjeve nuk ka marrë masat e nevojshme për njoftimin dhe shoqërimin e tij, duke kërkuar që të sqarohen arsyet e mosveprimit.
