TIRANË- Bashkia e Tiranës prezantoi sot projektin social “Shkolla Verore”, për të mbështetur fëmijët në nevojë, ata që vijnë nga komuniteti rom dhe të vegjlit që kanë tendenca për të braktisur shkollën.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes që u organizua në shkollën 9-vjeçare “26 Nëntori”, në Njësinë Administrative nr. 5, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se vendimmarrja më e rëndësishme është ajo e mbajtjes hapur dhe në mënyrë aktive të institucioneve arsimore.

“Për herë të parë, thyejmë një traditë ku gushti ishte pushim për çerdhet e kopshtet. Dhe ashtu si familjet nuk shkojnë të gjitha pushim përnjëherë, ashtu edhe çerdhet e kopshtet s’ka nevojë të shkojnë të gjithë pushim menjëherë, por të marrin një sens radhe dhe të sigurohemi që çerdhet e kopshtet janë hapur”, u shpreh Veliaj.

Në vitin e parë të punës, fokusi i Bashkisë së Tiranës ishte në riparimin e kopshteve dhe çerdheve.

“Ne s’jemi në luftë, ama po të shikoje çerdhet e kopshtet javën e parë që erdha në detyrë, para fiks një viti, ishte realisht si në gjendje lufte. Si mund të shohësh fëmijën në një mur ku rritet myku e bëhet pemë e si mund të bëjë gjumin e drekës në një ambient toksik një fëmijë ku kanalet e zeza përziheshin me të bardhat, ku çatia binte e ishte rrezik për jetën e fëmijëve, ishte e paimagjinueshme!”, nënvizoi Veliaj.

Sipas tij, ndryshimi ka ardhur pas angazhimit dhe kontributit të qytetarëve, të cilët ndihmuan në përfundimin e 31 çerdhe, dhe bërjen gati për në shtator të 23 kopshteve.

“Kemi marre një vendin fantastik duke hapur 7 shkolla gjatë verës, jo vetëm për nxënësit e shkollës, por edhe për ata të komuniteteve të margjinalizuara, ku kemi anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian, ku kemi familje që mund të kenë ardhur nga zona periferike të Shqipërisë dhe tranzicionin në Tiranë e kanë jo shumë të lehtë”, vijoi Veliaj.

Kryebashkiaku sqaroi se falë bashkëpunimit me Drejtorinë Arsimore, për herë të parë qyteti do të ketë vetëm 2 gjimnaze me 2 turne këtë vit.

“Duke qenë se shumica e gjimnazeve me shtesat që janë bërë, si “Qemal Stafa” dhe disa gjimnaze të tjera, praktikisht po akomodojnë dhe po shpërndajnë në mënyrën më të mirë nxënësit, besoj që pas vitit tjetër, nuk do të kemi më asnjë gjimnaze me 2 turne”, siguroi Veliaj. Ndërkohë, shtoi ai, problematika është shumë e madhe në shkollat 9-vjeçare. “Ky qytet është ndërtuar për 200 – 250 mijë banorë, sot jemi 1 milion banorë. Do të thotë se është 5-fishuar popullsia, por nuk është 5-fishuar infrastruktura jonë arsimore, shkollat, kopshtet, çerdhet. Vendimi i parë është që të fillojmë këtë vit me ndërtimin e 20 shkollave”, theksoi Veliaj.

Ndërsa me punën e vijuar deri më tani në Bashkinë e Tiranës buxhetoheshin 1-2 shkolla në vit, Veliaj tha se është zgjedhur që të bëhen të 20 njëherësh dhe të paguhen me këste nder vite.

“Çfarë përfitojmë? Si shumë parash është e njëjta, por, si filozofi i marrim të gjitha shkollat që vitin e parë, pavarësisht se pagesat i paguan ndër vite. Besoj se ndërtimi i 20 shkollave, për herë të parë, do mbylle këtë kapitull të lodhshëm të shkollave me 2 turne”, tha Veliaj.

Ai falenderoi të gjithë qytetarët e Tiranës, që duke dhënë pagesën modeste të një kafeje për familje, një çmim modest për ndërtimin e 20 shkollave të reja, i ka mundësuar Bashkisë që të ketë një kapital bazë për këstet që do të fillojë të paguajë nga viti që vjen për të pasur këtë lloj infrastrukture.

Projekti “Shkolla Verore” do të zgjasë 3 javë mësimore, nga data 8-26 gusht 2016 dhe ka për qëllim ofrimin e një alternative edukative ndryshe ndaj ambienteve të pasigurta si rruga gjatë periudhës së verës duke mundësuar integrimin edukativ e kulturor, zbavitjen, nxitjen e krijimtarisë të fëmijëve që vijnë nga familje me probleme social – ekonomike të qytetit të Tiranës. Projekti shtrihet në 7 shkolla 9-vjeçare në zonat periferike të Tiranës të cilat janë: “26 Nëntori”, “Naim Frashri”, “Bajram Curri”, “Shyqyri Peza”, “Xhezmi Delli”, “:28 Nëntori”, “Qazim Turdiu”. Gjatë 3 javëve fëmijët do merren me aktivitete të ndryshme si kopshtari, pikturë e mozaik, muzikë, sport dhe teatër.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb