Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi se Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2023. Bëhet fjalë për një rishpërndarje të fondeve të rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023. Ky akt normativ, nisur edhe nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë. Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit.

Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit. Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish. Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime. Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor.”, tha Mete.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb