Një prokuror i Apelit Durrës rrezikon postin pas ankimimit të Komisionerit Publik. Prokurori Ludovik Dodaj u konfirmua në detyrë nga KPK duke kaluar shkallën e parë të Vettingut por me sa duket komisioneri publik është kundër.

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 255, datë 8.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 255, datë 8.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb