TIRANË- Deputeti Tom Doshi është paraqitur sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Përgjithshme duke zbatuar urdhrin e gjykatës, praktikë që duhet ta ndjekë çdo të hënë.
Pas daljes nga Prokuroria, avokati i Tom Doshit, Ferid Muçaj në një prononcim për News24 deklaroi se do të vijojnë betejën ligjore për pafajësinë e klientit të tij.
“U njohëm me aktet e fashikullit hetimor. Ende nuk kemi përgjigje për kërkesat tona. Do të vazhdojmë betejën tonë ligjore”, tha Muçaj.
Togat e zeza pak ditë më parë caktuan masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për ligjvënësin Doshi, i cili do të paraqitet në Prokurori çdo të hënë në orën 10:00.
Më datën 30 prill, prokuroria rrëzoi dy nga tre akuzat që rëndonin ndaj Tom Doshit, duke e akuzuar vetëm për “kallëzim të rremë”.
Hetimet për çështjen “Doshi” nisën pas akuzave publike që bëri deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, se kishte zbuluar një komplot për eliminimin e tij fizik dhe të demokratit Mhill Fufi.
Pas tri javësh hetime prokuroria për Krime të Rënda ia delegoi dosjen organit qendror të akuzës, pasi doli në përfundimin se e gjithë ngjarja ishte e sajuar. Me marrjen e autorizimit në Kuvend, Prokurori i Përgjithshëm firmosi urdhër-ndalimin për deputetët Doshi e Frroku e më pas Gjykata e Lartë caktoi ndaj të dyve masën e arrestit në shtëpi.
(ma.ar/m.k/BalkanWeb)
