Shtetet e QUINT-it, kanë mirëpritur dhe përgëzuar Qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit të disa hektarëve tokë.

Sipas komunikatës së tyre, ky vendim paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike, raportojnë mediat e Kosovës.

“Siç kemi deklaruar në maj të vitit të kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykata Kushtetuese , zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në kumtesën e shteteve të Quint-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13 mars se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Ky kontest pronësor, që thuhet se qëndron mes Kosovës dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka nxitur mosmarrëveshje të shumta ndër vite.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb