NGA: DARINA TANUSHI
Mijëra të dënuar pritet që të ndëshkohen në zgjedhjet e 18 qershorit të vitit 2017. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot se, për shkak të përcaktimeve të ligjit për dekriminalizimin, miratuar kohë më parë nga parlamenti, pritet që një kategori e të dënuarve me vendim të formës së prerë të mos kenë të drejtë të votojnë, pavarësisht se këtë të drejtë ua jep Kushtetuta. Pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Ministria e Brendshme nxori edhe udhëzimin për përgatitjen e listave të zgjedhësve, ashtu siç ndodh sa herë ka zgjedhje.

Por këtë herë ka një veçanti. Për herë të parë, nga listat e zgjedhësve do të hiqen, para publikimit përfundimtar të listave, të gjithë të dënuarit që kanë kryer vepra penale që parashikohen në pikat “a” e “b” të nenit 2, të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ose siç njihet ndryshe ligji për dekriminalizimin. Në nenin 2, pika 4, të këtij ligji, thuhet shprehimisht: “Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e parashikuara shkronjat ‘a’ dhe ‘b’ të pikës 1 të këtij neni”. Më tej akoma, ligji i dekriminalizimit përcakton gjithashtu: “Kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara nga shkronjat ‘a’ dhe ‘b’ të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka marrë vendimin, i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila merr masa për pezullimin e së drejtës së votës dhe ngrirjen e rekordit zgjedhor të shtetasit në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Ky pezullim zgjat deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4, pika 8, të këtij ligji. Me mbarimin e afatit të pezullimit, shërbimi i gjendjes civile e heq pezullimin kryesisht”.Sipas udhëzimit, personat e kësaj kategorie që do të evidentohen brenda muajit dhjetor, do të njoftohen përmes një formulari. Në tekstin e formularit, ku do të shënohen bashkia, emri i institucionit dhe emri i zgjedhësit, këtij të fundit i thuhet: “Ju njoftojmë se për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017, në mbështetje të germave ‘a’ dhe ‘b’, të pikës 1 të nenit 2, të ligjit nr.138/ 2015, ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, si shtetas që jeni subjekt i këtij akti ligjor, nuk jeni të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrës së votimi.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: