Vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi aksidenti tragjik i 3 Majit ndodhet rruga “Azem Hajdari”, pa infrastrukturë dhe pa sinjalistikë, duke bërë që banorët të ndihen të rrezikuar, veçanërisht pas ngjarjes së rëndë.
Automjetet që lëvizin me shpejtësi, mungesa e ndriçimit dhe investimi i lënë përgjysmë për rikualifikimin e zonës janë disa nga problematikat, me të cilat përballen çdo ditë këto familje.
Ndërkohë që kërkesë themelore është edhe monitorimi nga policia, për të evituar manovrat e drejtuesve të automjeteve që vënë në rrezik jetën e fëmijëve.
Segmente rrugore që si pasojë e problematikave të shumta që mbartin krijojnë vështirësi, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe turistët e huaj, që këtë shqetësim nuk e shohin të izoluar. Këta vizitorë nga Izraeli megjithëse e cilësojnë Shqipërinë një vend të mrekullueshëm, kërkojnë që rruga të rregullohet. E gjithë zona që njihet si Durrësi i Ri prej vitesh përballet me mungesën e infrastrukturës.
Protestat dhe kërkesat e banorëve kanë qenë të vazhdueshme, ku nuk kanë munguar edhe peticionet. Në këto kushte, apeli i banorëve i drejtohet institucioneve, pasi lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me sigurinë e jetës së fëmijëve dhe familjeve të tyre, në mënyrë që tragjedi si e 3 Majit mos të përsëriten më.
