Në ditën e 74-të radhazi të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar, me rastin edhe të Ditës së Të Rinjve, fjalimet përpara godinës së Kryeministrisë kanë vijuar me mesazhe të forta nga brezi i ri. Një e re ka marrë fjalën për të denoncuar krizën e emigrimit, pamundësinë për të ndërtuar një të ardhme në vend dhe harresën e qeverisë ndaj rretheve e fshatrave.

E reja u shpreh se politikat e qeverisë aktuale po detyrojnë djemtë dhe vajzat e Shqipërisë të braktisin vendin, ndërsa theksoi se vetëm militantët e pushtetit kanë garanci për të ardhmen:

“Sot në këtë ditë të të rinjve dua të flas për realitetin që shohim çdo ditë. Shqipëria po humbet rininë e saj prej politikave që ka krijuar kjo qeveri. Po humbasim vajzat e djemtë që duhet të ndërtonin këtë vend, studentët, profesionistët, sipërmarrësit dhe ëndrrat e një brezi të tërë. Po studiojmë por pa ditur çfarë do ndodhë me ne! Vetëm patronazhistët e kanë të ardhmen të sigurt në Shqipëri! Ne nuk po arrijmë të mbijetojmë në Shqipëri, jo më të kërkojmë të ardhme këtu! Po e shohim të ardhmen vetëm jashtë sepse nuk po na mundësojnë të ardhme në Shqipëri!”

Më tej, ajo ndaloi te diferencimi dhe mungesa e shërbimeve bazë për të rinjtë që jetojnë jashtë kryeqytetit:

“Një problem tjetër që dua të prek është se Shqipëria nuk është vetëm Tirana! Shqipëria është edhe në qytetet e vogla, edhe në fshatrat! Po për ta ka menduar ndonjëherë qeveria? Atje nuk ka shërbime, universitete, shërbimi social nuk funksionon për të rinjtë. Kur kemi një hall, e keni menduar ku do të drejtohemi?!” deklaroi ajo nga podiumi i protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb