TIRANË- Nënkryetari i komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti demokrat Flamur Noka tha sot gjatë mbledhjes ku Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka prezantuar draftin për projektligjin e vettingut në polici se PD nuk është kundër por se kjo gjë nuk mund të bëhet nga qeveria.

Noka ka shpërthyer në akuza ndaj vetë ministrit Xhafaj por edhe kryeministrit Edi Rama. Ai tha se qeveria “Rama” e inkriminoi dhe kanabizoi policinë, ndaj nuk mund të bëjë ajo vettingun. Për më tepër Noka deklaroi se vettingu duhet të nisë nga lart, pra t’i nënshtrohen edhe Rama e Xhafaj.

“Vettingu në polici është i nevojshëm dhe ne si opozitë nuk jemi kundër në parim. Megjithëse në ligjin organik të Policisë së Shtetit ka pasur të sanksionuar nene të caktuara, kur flasim për vërtetimet e personalitetit, për kontrollin e figurës së personalitetit dhe deklarimit të pasurisë të çdo oficeri policie. Nuk janë zbatuar, por ajo që është e rëndësishme është, që policia qenka e rrënuar, e degraduar, e kanabizuar. Kush e solli policinë në këtë gjendje? Ku na humbi ajo policia që duam, ku na shkoi policia e rilindur, kush e inkriminoi këtë strukturë? Kush futi ata qindra persona që me kërkesë të Ambasadës së SHBA-së në 2004, u larguan?
Kush e kanabizoi dhe i priu kanabizimit sot në këtë vend? Kush e rrënoi dhe e degradoi policinë? A kanë këta mundësinë që ta ringjallin besimin e opinionit tek kjo polici dhe a kanë këta mundësinë që ta rikthejnë në parametra normalë Policinë e Shtetit? Sepse jemi dëshmitarë. Për katër vjet ky institucion është përdorur si një instrument dhune dhe jo një instrument ligji ndaj qytetarëve dhe në asnjë moment si një instrument ligjor në duart e shtetit, kundër krimit, bandave dhe trafikantëve”, deklaroi Noka.

Sipas tij, kjo polici u katandis në këtë pikë dhe në këtë gjendje, pasi i duhej dyshes Rama-Tahiri. “E para, për t’i kthyer borxhin krimit dhe për ta mbushur me ushtarët e saj policinë. E dyta, për ta përdorur për trafik droge dhe për të mbledhur para për të blerë votat. A mund ta zgjidhë ky projektligj këtë situatë dhe këtë gjendje të degraduar të këtij institucioni?! Unë besoj që jo. Sepse zgjidhja nuk vjen kurrë nga poshtë -lart, gjithmonë zgjidhja nga lart-poshtë. Si mund t’i kërkojmë një polici të thjeshtë llogari për hashashin kur kemi një kryeministër që mbush hundët me kokainë? Si mund t’i kërkojmë një polici pse ka një kushëri të implikuar apo të përzier në një histori trafiku apo bande kriminale kur ke ministrin e Brendshëm me vëlla të dënuar për trafik ndërkombëtar droge? Pra, ky formular, ky vetting duhet të fillojë nga lart-poshtë, nga ata që e shkaktuan dhe e sollën në këtë gjendje dhe duhet të vazhdojë pastaj deri tek polici i thjeshtë”, tha deputeti i PD.

Ai tha më tej se nuk ka bërë ndonjëherë vaki që në këtë vend në vend që të ishin në kërkim kriminelët, sot ke më shumë të kërkuar në kupolën e policisë.
“Sot të gjithë ish-drejtorët që i patët ju dhe u mburrët me to në 4 vjet, janë në kërkim. Të gjithë janë të zhdukur dhe nuk janë fare as në Shqipëri ose janë fshehur në Shqipëri. Kostot e kësaj maskarade sigurisht që i bien qytetarëve, i bien vendit. Po kush i shkaktoi?! I shkaktoi qeveria, i shkaktoi kryeministri i vendit. Ndaj e përsëris, opozita në parim nuk është kundër, por ky ligj që keni sjellë nuk është i mjaftueshëm, është thjesht një shou propagandistik për t’i larë fytyrën që ja keni baltosur dhe njollosur policisë”, u shpreh Noka.

Ministri Xhafaj, ka prezantuar sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare draftin për projektligjin “Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, në Ministrinë e Brendshme.
Xhafaj tha para anëtarëve të komisionit se me këtë proces synohet evidentimi i personave të inkriminuar në radhët e policisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb