Dy persona humbën jetën dhe të paktën 14 persona të tjerë mbetën të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një autobus doli nga rruga dhe u përplas me këmbësorët që prisnin në një stacion autobusi në Portugali.

Aksidenti ndodhi të martën në mëngjes në zonën e Agualva-Cacém, në komunën e Sintrës, pranë stacionit të trenit, brenda një tuneli nëntokësor.

Sipas mediave portugeze, shoferi i një autobusi të kompanisë Carris Metropolitana humbi kontrollin e automjetit për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, duke u përplasur me stacionin ku ndodheshin disa persona, që prisnin transportin publik.

 

Ngjarja shkaktoi një mobilizim të madh të forcave të policisë, zjarrfikësve dhe ekipeve të emergjencës. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spital. Autoritetet bënë të ditur se shumica e tyre kanë lëndime të lehta, ndërsa katër persona ndodhen në gjendje kritike.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa zona mbeti pjesërisht e bllokuar deri në përfundimin e operacioneve të shpëtimit dhe ekspertizës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: