Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëri-tjetrin për shkelje serioze të një armëpushimi mbi Nagorno-Karabakun, që hyri në fuqi të shtunën, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e tij.

Dy vendet ranë dakord për armëpushimin në rajonin e diskutueshëm Nagorno-Karabak pas 10 orë bisedimesh në Moskë. Armëpushimi do t’i lejonte palët të shkëmbenin robër dhe të tërheqin viktimat.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ndërmjetësoi bisedimet, tha se armëpushimi duhet të hapë rrugën për bisedime të mëtejshme mbi zgjidhjen e konfliktit.

Më shumë se 50 civilë, përfshirë fëmijë, mund të jenë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve më 27 shtator.

Në luftime janë vrarë gjithashtu rreth 400 ushtarë. Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Associated Press ka publikuar një video të ofruar nga Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit ku pretendohet për sulme ajrore ndaj ushtrisë armene, që thuhet se shkeli armëpushimin në Nagorno-Karabakh.

Pamjet tregojnë, siç thuhet, një sulm ndaj forcave armene në zonën e debatuar. Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur pohimet nga Azerbajxhani.

Nagorno-Karabaku, territor me popullsi kryesisht armene, shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani në vitin 1991 gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar një luftë që u mori jetën rreth 30 mijënjerëzve para se të arrihej një armëpushim në vitin 1994.

Pavarësia e tij nuk njihet në arenën ndërkombëtare.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb