TIRANE- Prokuroria ka dhënë sot pretencën për njërin nga 8 pjesëtarët e “Bandës së Babagjyshëve” që u bënë të njohur pas grabitjes 200 mijë euroshe në një qendër tregtare në 2013-ën. Duke përfituar nga periudha e festave të fundvitit, ata u veshën si babagjyshër dhe grabitën një argjendari.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 28 vite burg për Saimir Kalën (në foto), i cili përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë vetëm 18 vite e 8 muaj burg.
Saimir-Kala

Kreu i bandës ishte Ilir Kupa, shqiptari i kërkuar nga shteti helen për arratisje nga burgu dhe një sërë veprash kriminale, ndërsa anëtarët e tjërë të grupit janë të gjithë të rinj me të shkuar kriminale. Të arrestuar në 2014-ën, ata gjurmoheshin e survejoheshin në bazë të një serie dosjesh të pazbardhura, ku më të rëndat janë grabitjet me maska të 5 argjendarive, jo vetëm në qytete të ndryshme të vendit, por edhe në Maqedoni.

JA KUSH JANE ANETARET E BANDES SE BABAGJYSHEVE
Ilir Kupa
Saimir Kala
Dritan Kola
Fatmir Prifti
Hajdar Sefa (Xaka)
Agustin Sula
Miljan Elezi apo Artur Tafani (i vrarë)
Julian Qerushi

VJEDHJET NE 2013-2014
1. Në datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A.B.
2. Në datë 05.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S.R.
3. Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë Krujës, kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P.B.
4. Në datë 18.12.2014 në Fushë Prezë kanë vjedhur me armë automjetin në pronësi të shtetasit SH.K., duke e plagosur rëndë atë.
5. Në datë 25.09.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.S.
6. Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë- Milot.
7. Në datë 24.12.2013 rreth orës 17:30 kanë vjedhur me armë argjendari“Gelosia” në qendrën tregetare TEG.
8. Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari.
9. Në datë 29.07.2014 në Dibër të Madhe në Maqedoni kanë vjedhur me armëargjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.

Banda e Babagjyshëve ka kryer edhe dy grabitje të tjera me uniformë ushtarake. Një supermarket dhe një pikë bastesh sportive u grabitën nga anëtarët e kësaj bande, nën uniforma ushtrake dhe të armatosur.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb