LAÇ- ‘Çmendet’ moti në Laç. Reshjet e dendura të shiut që pushtuan këtë qytet, i shndërruan rrugët e tij në lumenj të vërtetë. Rrugët janë përmbytur duke e bërë të pamundur kalimin banorëve dhe lëvizjen e automjeteve. E gjitha qendra qytetit për disa minuta ka qenë në kaos, pasi përroi që kalon mespërmes qytetit ka dalë nga shtrati duke rrezikuar edhe kalimtarët.

Rrjedha e ujit siç mund të shihet edhe në pamje ka qenë e fortë, duke rrezikuar të marrë me vete edhe njerëzit. Për situatën e krijuar është mbledhur dhe Shtabi i Emergjencës Civile në Lezhë, ndërsa për të monitoruar nga afër situatën në këtë zonë është edhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Mësohet se shkak i përmbytjeve është bërë bllokimi i kolektorit kryesor të qytetit. Si pasojë e përmbytjeve, pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Sakaq, nuk është hera e parë që Laçi përballet me situata të tilla. Në nëntor të 2014-s, babë e bijë humbën jetën pasi i mori rrjedha e ujit që u krijua nga shirat.

PANARITI: JEMI NË GATISHMËRI PËR EVAKUIMIN E BANORËVE
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, flet për News24 nga Laçi ku ndodhet për të monitoruar nga afër situatën. Panariti i ka bërë apel banorëve që kanë ndërtuar në toka bujqësore se duhet të jenë në gatishmëri për t’u evakuuar. “Situata kritike është në Laç. Në zonën e Kurbinit kemi një shi të paparë. Ka gati 7 orë që bie, edhe pse tashmë me intensitet më të ulët. Kemi pasur reshje 110 cm. Kanali i ujërave të larta po përballon vërshimet e ujërave që vinë nga malet dhe kodrat. Jemi në tre pika që konsiderohen më kritike. Do u bëjmë apel banorëve të tokave përreth, ku parashikohet që të shkarkohen ujërat. Ata duhet të jenë në gjendje alerti, pasi nesër do kemi reshje të fuqishme. Në qytet tashmë kemi vërshim të përroit. Tani bëhet fjalë për banorë që janë në toka bujqësore. Ata rrezikohen më shumë, në zonën e Shullazit. Kanali është mbushur tërësisht është se ka tendencë të shkarkohet. Apeli është që të jenë në gatishmëri për t’u evakuuar.”, tha Panariti.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: