TIRANË- Gjatë mbrojtjes në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit ku u mor masa për përjashtimin e tij për 10 ditë nga seancat dhe komisionet, deputeti i LSI-së Endrit Brahimllari akuzoi deputeten e PS-së Vasilika Hysi se i ka bërë presion në seancën e 18 dhjetorit.

Ai tha se Hysi i ka thënë se do përfundojë në burg dhe se babai i tij gjyqtar do ketë pasoja. Por në fakt Brahimllari tha se babai i tij nuk është gjyqtar.

“Vasilika Hysi më bëri presion në seancë. Më tha që do përfundosh në burg dhe babai jot do ketë pasoja sepse është gjyqtar. Ndërkohë babai im nuk është gjyqtar. Ju përdorni reformën për t’i bërë presion çdo shqiptari. Keni shkelur Kushtetutën dhe parimin e shtetit të së drejtës”, deklaroi Brahimllari në Byronë e Kuvendit.

Përsa i përket incidentit mes deputetes së LSI-së Kejdi Mehmetaj dhe deputetit të PS Bujar Çela, Brahimllari tha se në mbledhjen e Byrosë duhet të ishte edhe Ministri Ditmir Bushati.

“Habitem pse sot nuk është ministri i Jashtëm Bushati i ftuar sot se ka përdorur një fjalor jashtëzakonisht të turpshëm për deputeten Mehmetaj. Më vjen turp mua si mashkull të them ato fjalë. Është e turpshme ajo që bëri deputeti Çela që ushtroi dhunë ndaj deputetes Mehmetaj”, tha Brahimllari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: