Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka publikuar pamjet nga momenti i sulmit me spraj ndaj tij përpara Kryeministrisë.

Kapri thotë se ai u sulmua me spraj helmues pabesisht nga një civil i maskuar i cili ishte pas forcave të policisë.

“Ky është momenti kur sulmohem pabesisht nga kapuçziu i Skënder Hitajt. Po i kërkoja t’i thoshte Ramës t’i jepte fund kësaj situate, sepse nuk kanë faj policët. Edhe ata, ashtu si studentët, jetojnë në këtë vend dhe e duan këtë vend. Por kapuçzinj si ky që guxoi të sulmojë një deputet, imagjinoni çfarë u kanë bërë të rinjve”,- shprehet deputeti.

Sipas Kaprit, ajo që ndodhi me një deputet të Parlamentit është më e pakta nga çfarë dhune kanë përjetuar studentët protestues gjatë këtyre 5 ditëve.

“Shumë prej tyre më kanë rrëfyer personalisht torturat që kanë përjetuar. Nuk do t’i lë këto dëshmi pa ndjekur deri në fund”, thekson deputeti.

Kapri paralajmëron padi në SPAK për drejtorin e përgjithshëm të policisë Skënder Hitaj dhe efektivët që kanë dhunuar e torturuar të rinjtë.

“Do të bëj kallëzim në SPAK për Skënder Hitajn dhe për këdo në strukturat e Policisë që ka urdhëruar apo ushtruar dhunë. Do mbani përgjegjësi për çdo të ri të dhunuar!”, thekson Kapri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb