Një tjetër rast i djegies së gomave dhe kabllove është regjistruar sot pranë urës mbi lumin Mat, në segmentin Milot–Lezhë, duke rikthyer shqetësimin për ndotjen dhe sigurinë në këtë zonë.
Sipas informacioneve, tymi i dendur i shkaktuar nga djegia ka krijuar shqetësim të menjëhershëm për banorët dhe kalimtarët, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe duke ulur dukshmërinë në rrugë. Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente, veçanërisht në një segment rrugor me qarkullim të lartë.
Banorët e zonës shprehen se ky fenomen është i përsëritur dhe ka vijuar prej kohësh, duke u kthyer në një problem serioz mjedisor dhe shëndetësor. Djegia e gomave dhe kabllove çliron substanca të rrezikshme në ajër, të cilat mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin e komunitetit.
Vetëm dy ditë më parë, Policia e Shtetit procedoi penalisht dy shtetas të kapur në flagrancë duke djegur kabllo pranë brigjeve të lumit Mat, çka tregon për vazhdimësinë e këtij fenomeni dhe nevojën për masa më të rrepta parandaluese.
