TIRANË

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për kryetarin e Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, pas publikimit të videos, ku shfaqej duke konsumuar kokainë.

“BalkanWeb” mëson se SPAK ka regjistruar procedimin penal ndaj kryebashkiakut Alla.

Kryebashkiaku Lefter Alla u shfaq në një video, teksa konsumonte kokainë, ndërsa ishte ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, që bëri denoncimin. Në reagimin e tij, kryebashkiaku tha se videoja është montuar nga PD dhe po përdoret për ta shtantazhuar.

Ky është një tjetër kryebashkiak i Partisë Socialiste, i dalë nga votimet e 30 qershorit, që rrezikon postin, pas largimit të Valdrin Pjetrit të Shkodrës dhe Agim Kajmakut të Vorës, të cilët u denoncuan nga PD për vepra të ndryshme penale, të kryera më herët, por që i kishin fshehur në formularin e Dekriminalizimit, si dhe largimit të Valbona Sakos nga Bashkia e Durrësit, pas gafës së rëndë që bëri pas bilnacit tragjik të tërmetit të 26 nëntorit, ku deklaroi se “jemi të kënaqur me 50 viktima”.

Ndërkohë, PD ka denoncuar edhe disa kryebashkiakë të tjerë të PS, si Mark Babanin e Malësisë së Madhe, Agron Malajn e Bashkisë Mat dhe Qerim Ismailajn e Bashkisë Mallakastër, si dhe ka paralajmëruar se do të nxjerrë të shkuarën e të tjerë drejtuesve lokalë të pas 30 qershorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb