Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, ka publikuar një video të re nga momenti i shpërthimit që ndodhi jashtë rezidencës së biznesmenit ukrainas Vadim Yermolaev në Monako, duke e cilësuar atë si një nga provat më të rëndësishme të hetimit për atentatin ndaj tij.

Pamjet, të regjistruara nga një kamerë mbikëqyrjeje që dyshohet se ishte instaluar paraprakisht nga autorët e sulmit, tregojnë Yermolaev dhe familjarët e tij duke iu afruar hyrjes së godinës. Në momentin që ata ngjisin shkallët, ndodh shpërthimi. Sipas medias ukrainase UNN, të dyshuarit ishin përpjekur të shkatërronin materialin filmik, por ekspertët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) arritën ta rikuperonin atë.

Pas sulmit, Yermolaev deklaroi se atentati ishte organizuar nga persona të lidhur me strukturat e inteligjencës ushtarake të Ukrainës (GUR). “Bazuar në provat e hetimit që kemi në dispozicion, nuk kemi asnjë dyshim se oficerë aktivë të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (GUR) kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë atentat”, thuhet në deklaratën e biznesmenit, të shpërndarë përmes avokatëve të tij.

Megjithatë, këto janë pretendime të Yermolaev dhe nuk është bërë e ditur ndonjë konfirmim zyrtar nga autoritetet hetimore për përgjegjësinë e GUR-it.

Ndërkohë, sipas hetuesve francezë, Anastasia Berezovskaya, shtetase ukrainase, është identifikuar si e dyshuar për vendosjen e pajisjes shpërthyese në një vend publik me qëllim kriminal. Shpërthimi ndodhi në momentin kur Yermolaev po dilte nga godina së bashku me partneren e tij dhe djalin e tyre 13-vjeçar. Si pasojë e atentatit, biznesmeni mbeti i plagosur rëndë, ndërsa partnerja e tij u dërgua në spital në gjendje kritike. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: