KORCE- Sherri i nisur në një kopsht të qytetit të Korçës që degjeneroi në dhunë, mes drejtoreshës Laureta Asllani e edukatores Suzana Brahimllari, ka sjellë një tjetër përplasje, por kësaj here në ambientet e Urgjencës së spitalit të Korçës.

Një grup gazetarësh që kishin shkuar në spital për tu interesuar për gjendjen e edukatores Suzana Brahimllari janë përballur me refuzimin e fortë të shefit të Urgjencës, Dhimitër Samara.

Gazetarja Iris Rezhda ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” videon e plotë të sherrit të zhvilluar brenda ambienteve të Urgjencës, madje në sy të edukatores së dhunuar.

Samara ka folur me tone të ashpra që ngjasonin më shumë si ulërima teksa ju komunikonte gazetarëve se kishte urdhër nga kryeministria që ata të dilinin sa më me urgjencë përjashta.

Shefi i Urgjencës: Jashtë…
Gazetarja: Po më prek me dorë
Shefi i Urgjencës: Mos e bëni veten t’ju prek me dorë
Gazetarët: Pse po na prekni me dorë
Shefi i Urgjencës: Jashtë po ju them. Ta mora ta theva televizorin (kamerën), jashtë
Gazetarët: Pse dhunon o njeri
Shefi i Urgjencës: Jashtë kamerat, jashtë televizorët, kam urdhër nga Kryeministria
Gazetarja: Të duket e hijshme ty, të më prekësh me dorë mua
Shefi i Urgjencës: Çfarë është Urgjenca, han është urgjenca
Gazetarët: Po burg nuk është
Shefi i Urgjencës: E di unë çfarë është, jashtë ju thashë ka një shef këtu, unë jam shefi këtu (ulëret me të madhe) Jashtë ju thashë se nuk e dija
Gazetarët: Qetësohuni mo doktor…
Shefi i Urgjencës: E kam me urdhër nga konsulenti i kryeministrit
Gazetarja: Këtu erdha me leje unë, kontaktova me doktor Agronin, nuk dal jashtë në momentin që t’i vë dorë mbi mua
Shefi i Urgjencës: Mos rezisto, kur të them unë duhet të dalësh jashtë, duhet të dalësh jashtë. Ti po reziston dhe unë do të marr të nxjerr prej krahu.
(Drejtori i kap prej krahu gazetarët)
Shefi i Urgjencës: Ju nuk kemi kontaktuar me asnjë njeri. Dilni jashtë se po shqetësoni të sëmurët

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb