Lestëri ka shpartalluar pa mëshirë në transfertë Sauthempton në sfidën e parë të javës së dhjetë të Premier Ligës. Në “St Mary’s Stadium”, “Foxes” kanë fituar 9-0 duke përfituar dhe nga dalja me karton të kuq të Bertrand në minutën e 12-të pak pas golit të epërsisë të çiluellit. Për skuadrën e Brendan Roxhërs, tashmë e dyta në renditje, shpëthyen në gola Perez dhe Vardi, secili nga një tregolësh, veç rrjetave të Tillëmans dhe Medizon, nën rrebeshin e shiut në Sauthempton.

Te Lestëri gjërat dinë t’i bëjnë mirë. Pasi shkruan historinë në Premier Ligë duke fituar një titull të pabesueshëm në sezonin 2015/16, “Dhelprat” kanë shkruar një tjetër faqe në historinë e futbollit anglez duke fituar 9-0 në “St Mary’s Stadium” kundër Sauthemptonit fatkeq, duke brazuar rekordin e Mançester Junajtid që mposhti 9-0 Ipsuiçin në vitin 1995 dhe duke regjistruar fitoren më të thellë në transfertë në historinë e Premier Ligës (pra që prej vitit 1992, kur kampionati ndërroi emër dhe format, e deri më tani), duke kaluar suksesin e Mançester Junajtidit në fushën e Notingem Forrestit në vitin 1999.

Për Sauthemptonin mbrëmje e gjitha për t’u harruar dhe jo vetëm për rezultatin. Vetëm dy herë në Premier Ligë dy lojtarë të së njëjtës skuadër e kishin mbyllur ndeshjen me tregolësha si Vardi dhe Perez. Në vitin 2003 këtë gjë e bëri Arsenali me Penant dhe Pires po kundër Sauthemptonit në fitoren 6-1.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb