Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin “Game over”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë aksionit, policia ka evidentuar një lokal të përshtatur për organizimin e lotarive të palejuara, me pajisje kompjuterike që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Për pasojë, blutë e Lezhës kanë shpallur në kërkim dy poseduesit e lokalit, shtetasit Argjentjano Ndoka dhe Rinev Dani, si dhe kanë sekuestruar 8 kompjutera, tavolina pokeri dhe çipsa.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të Letër Porosisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të Planit të Masave të miratuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, me objekt pune “Kontrollin e territorit, parandalimin, identifikimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojëra të fatit”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme, që në disa raste ka sjellë edhe konflikte mes qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme dhe si rezultat kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over”.

Gjatë këtij operacioni, në qytet Lezhë, në lagjen “Besëlidhja”, është ushtruar kontroll në ambientet e një lokali që ishte përshtatur për organizimin e lojërave të fatit, me pajisje kompjuterike që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në ambientet e këtij lokali janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e proves materiale 8 kompjutera për lojëra fati të ndezur në gjëndje pune, 3 tavolina pokeri dhe çipsa.

Në vijim të veprimeve hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit R. D., 29 vjeç dhe A. N., 33 vjeç, banues në Lezhë, të cilët dyshohen se kanë përshtatur lokalin që posedonin, për organizimin e lotarive të palejuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb