Një hajdut 32-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi ka grabitur me dhunë varësen e një shtetaseje në terminalin e autobusëve pranë “Casa Italia” në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, operacioni policor i koduar “Terminali”.

I vodhi me dhunë varësen e floririt një shtetaseje, identifikohet dhe vihet në pranga 32-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se një person i kishte vjedhur me dhunë varësen një shtetaseje, në afërsi të terminalit të autobusëve, te “Casa Italia”, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Terminali”, për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, brenda pak minutave, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

–  M. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Ky shtetas, mesditën e djeshme, në afërsi të terminalit të autobusëve, i ka vjedhur me dhunë varësen një shtetaseje dhe më pas është larguar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb