Banorët në zonën e “5 majit” në kryeqytet kanë përshkallëzuar protestat e tyre. Ata kanë dalë këtë pasdite, në kryqëzimin që të dërgon te “5 maji” dhe kanë bllokuar rrugën.

Në videon e siguruar nga “BalkanWeb”, shihet momenti që në tension e sipër, protestuesit përplasen me efektivët e policisë. Po ashtu, njëri prej tyre kërkon që protestuesit të ulen në rrugë dhe të vijojnë protestën në këtë formë. Kujtojmë që banorët e “5 majit” janë duke protestuar prej ditësh pasi janë kundër prishjes së banesave të tyre.

Ata kërkojnë nga qeveria që t’i rimbursojnë jo vetëm me sipërfaqet e ndërtesave, por edhe me sipërfaqen e tokës që kanë në përdorim. Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se banorët do të rimbursehen, si ata që janë me legalizime, por edhe ata që nuk e kanë certifikatën e pronësisë. Kreu i Kadastrës, Artan Lame, deklaroi sot gjatë një takimi në Berat, se banorët e “5 Majit” dhe Unazës së Re, nuk duhet të kërkojnë rimbursim për tokën, pasi sipas tij ato nuk janë pronarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb