Ambienti zikaltër ishte karikuar për një rikthim të bujshëm në Champions, fundja vinin pas një ecurie perfekte në Serie A por Slavia e Pragës i rezervoi një surprizë të hidhur duke i ndalur në “San Siro”. Aventura në turneun më të rëndësishëm në rang klubesh nisi me një blof të madh, Inter shfaqi një ekip të shëmtuar, të ngadaltë, të prekshëm dhe një asnjë moment të rrezikshëm. Në fillim kishin kontrollin e lojës por në zonën e kundërshtarin zbritën me topa të gjatë dhe të parrezikshëm. Në pjesën e parë të vetmet raste erdhën nga goditjet standarde ku protagonist si gjithnjë ishte Sensi, “xhuxhi” magjik, por as De Vrij e as D’Ambrozia nuk i shfrytëzuan në asnjë moment. Situata u ndërlikua akoma më shumë kur zbulimi i Bylis dhe ish lojtari i Skënderbeut, Olayinka kaloi çekët në avantazh në minutën e 64-të. Drama e madhe, makthi më i madh i tifozëve ziklatër u shmang vetëm në kohën shtesë ku goli i Barellas evitoi humbjen. Ky “X” ndaj ekipit më të dobët në grup e bën malore aventurën e Interit, e të mendosh që pjesa më e vështirë nuk ka ardhur akoma, teksa tashmë duhet të bëjnë llogaritë me Barcelonën dhe B.Dortmund.



Më i shqetësuari për këtë blof një javë përpara derbit me Milanit ishte padiskutim Antonio Conte i cili mori përsipër këtë dështim të madh: “Vuajtëm shumë përballë një ekipi që luajti në mënyrë europiane. Nuk jam aspak i lumtur me këtë paraqitje. Un jam përgjegjësi i parë. Nuk treguam asgjë nga filozofia jonë e të luajturit futboll. Duhet të rritemi të gjithë bashkë, nuk kam shkopin magjik të ndryshoj çdo gjë me një prekje”, u shpreh Conte në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb