Janë zbardhur të tjera detaje nga ngjarja e ndodhur në lagjen Nr.4 të qytetit të Sarandës, ku 34-vjeçari Kleo Hysi u arrestua pasi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij, nënë të dy fëmijëve.

Mësohet se i riu ka thyer masën e “arrestit në shtëpi” që ishte vendosur për të nga Gjykata e Sarandës, duke shkuar në banesën ku 31-vjeçarja jetonte me bashkëjetuesin e saj, shtetasin Isuf Jacaj.

Ndërkohë sipas policisë në pranga përveç 34-vjeçarit nga Kalivaçi i Tepelenës është vënë edhe 55-vjeçari që bashkëjetonte me shtetasen me iniciale F.C, pasi i është gjetur një armë e ftohtë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Sarandë/Shërbimet e Policisë parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Marrja në kohë reale e informacionit dhe reagimi profesional dhe i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë, parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kërcënoi se do të vriste ish-bashkëshorten e tij dhe bashkëjetuesin e saj, me armë zjarri, vihet në pranga 34-vjeçari, në kuadër të operacionit policor të koduar “On time”.

Në pranga dhe një shtetas tjetër (bashkëjetuesi), pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, me fishekë në fole dhe përforcuesi i grushtit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.4, Sarandë, shtetasi K. H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “On time”.

Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin K. H., 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje.

Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti).

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: