Një inovacion teknologjik pritet të marrë jetë shumë shpejt në funksion të sistemit të transportit rrugor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi “E-Monitorim Mobile” një teknologji avangardë, e cila do të evidentojë çdo situatë të parregullt të automjeteve në rrugë, që nga mangësitë e dokumentacionit të mjetit, mungesën e licencave të ndryshme dhe rastet e informalitetit në transportin e mallrave apo edhe vetë udhëtarëve.

“Të gjitha shkeljet do i raportohen sektorit përkatës të Policisë së Shtetit dhe taskforcës së Transportit Rrugor përmes këtij mekanizmi të ri digjital”, shtoi Rama.

Risia në monitorimin dhe kontrollin e dokumentacionit të mjeteve rrugore u prezantua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, si një projekt pilot me teknologjinë më të re amerikane të Motorola Solutions, në bashkëpunim me AKSHI-in dhe Infosoft Systems.

Qëllimi kryesor i projektit është evidentimi transparent i situatës reale mbi mjetet rrugore që qarkullojnë.
Investimi përfshin pajisje të konceptuara për të lexuar targat e mjeteve në qëndrim ose në lëvizje me të dhëna si data, ora dhe koordinata të vendndodhjes, integruar me pajisje mobile, të cilat përmes programeve të instaluara do të bëjnë të mundur zbulimin në kohë reale të pamjes dhe të dhënave mbi mjetin.

Disiplinimi i flotës do të jetë një vlerë e shtuar për normalizimin e qarkullimit rrugor, uljen e ndotjes dhe kapjen e objektivave të BE për trafikun rrugor.

Parregullsitë në dokumentacionin e mjeteve rrugore sjellin pasoja të rënda për sigurinë publike, mjete të pakontrolluara teknikisht, evazion fiskal, pabarazi, minim të sigurisë rrugore, mosmbulim dëmesh nga aksidentet, dëm ekonomik e varfërim të arkës vendore e qendrore, paligjshmëri e shmangie detyrimesh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb