Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka publikuar një video ku shihet kryeministri Edi Rama teksa pohon se qeveria nuk ka para për qytetarët në këtë situatë për shkak të COVID-19, ndërkohë që demokrati pohon krejt të kundërtën.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Bardhi akuzoi Ramën që të lërë fjalët boshe e mallkimet, por të bëjë detyrën për qytetarët e tij. Sipas Bardhit, braktisja e familjeve në nevojë, të sëmurëve apo qytetarëve pa mjetet e nevojshme të jetesës, në këtë kohë krize, është kriminale. Në këtë linjë, sekretari i Përgjithshëm i PD thekson se buxheti ka para mjaftueshëm për të përballuar krizën, por Shqipëria është në prag të katastrofës ekonomike, sepse lekët e shqiptarëve sipas tij Rama i ka për t’i ndarë me miqtë, në tendera dhe koncesione korruptive.

MESAZHI I BARDHIT
Nëse mbyllesh në Surrel nuk ke sesi ta kuptosh që njerëzit janë pa bukë dhe pa asnjë ndihmë nga shteti, prandaj vetëm e mallkon dhe e fyen popullin tënd. Edi Rama duhet të bëjë detyrën dhe të lërë fjalët boshe, teatrin dhe propagandën.
Braktisja e familjeve në nevojë, të sëmurëve apo qytetarëve pa mjetet e nevojshme të jetesës, në këtë kohë krize, është kriminale. Sot qytetarët e pamundur kanë nevojë më shumë se kurrë të ndjejnë solidaritetin dhe mbështetjen e shtetit.
Buxheti ka para mjaftueshëm për të përballuar krizën, por Shqipëria është në prag të katastrofës ekonomike, sepse lekët e shqiptarëve Rama i ka për t’i ndarë me miqtë e tij, në tendera dhe koncesione korruptive.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb